Lajme

Shqipëria në trevjetorin e Banjskës: Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa llogaridhënie

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka kërkuar llogaridhënie të plotë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku më 24 shtator 2023 u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ministria ka theksuar se, tri vjet pas sulmit, kërkesa për drejtësi mbetet e pandryshuar.

“Përgjegjësit për planifikimin, organizimin, financimin dhe kryerjen e sulmit duhet të dalin para drejtësisë dhe të gjitha rrethanat që lidhen me këtë akt dhune duhet të zbardhen plotësisht”, thuhet në reagim.

Sipas Ministrisë së Jashtme shqiptare, sulmi në Banjskë nuk ishte vetëm një sulm ndaj forcave policore të Kosovës, por edhe ndaj sundimit të ligjit, paqes, sigurisë dhe përpjekjeve për ndërtimin e stabilitetit dhe normalizimit afatgjatë në rajon.

“Lejimi i akteve të tilla pa përgjegjësi do t’u dërgonte mesazhin e gabuar atyre që synojnë ta minojnë paqen përmes dhunës dhe frikësimit”, thuhet më tej.

Ministria ka theksuar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, stabilitet të qëndrueshëm apo normalizim dhe pajtim të mirëfilltë pa llogaridhënie.

“Drejtësia nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë pengesë për dialogun. Përkundrazi, ajo është një nga themelet thelbësore mbi të cilat duhet të mbështeten dialogu i besueshëm, besimi i ndërsjellë dhe pajtimi afatgjatë”, përfundon reagimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë

Të Ngjashme