Qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur këtë të diel përpara ambienteve të Ministria e Brendshme, në shenjë proteste kundër ndërtimeve të planifikuara në zonën e Zvërnec.
Protesta vjen pas ngjarjeve të një dite më parë në Zvërnec, ku protestuesit pretendojnë se janë dhunuar dhe tërhequr zvarrë nga roje të një kompanie private sigurie, gjatë përplasjeve që shoqëruan kundërshtimin e projekteve të ndërtimit në zonë.
Me pankarta dhe thirrje “Shqipëria nuk shitet”, pjesëmarrësit kanë kërkuar ndalimin e ndërhyrjeve ndërtimore në zonat që ata i konsiderojnë të mbrojtura dhe me rëndësi të veçantë mjedisore.
Gjatë protestës në kryeqytet, aktivisti Taulant Binaj deklaroi se sipas tij, Shqipëria po përballet me një proces të gjatë të degradimit dhe komercializimit të zonave natyrore.
“Shqipëria nuk ka marrë fund. Është po kjo Shqipëri si në ’90… Shoh që gjithçka ne kemi bërë në shumë vite, shpalljen e zonave të mbrojtura përfshi Rrjollin, Kune-Vain, Patokun, Karavastanë, Vjosë-Nartën, Butrintin, të gjitha duan të na i marrin, duan të na i shesin,” u shpreh Binaj.
Ai shtoi se ndryshimet ligjore të viteve të fundit, sipas tij, kanë hapur rrugë për zhvillime që cenojnë zonat e mbrojtura, duke e cilësuar këtë situatë si një betejë më të gjerë për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri.
Protestuesit kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të ndalur projektet në zonën e Zvërnecit dhe për të garantuar mbrojtjen e territoreve të konsideruara me vlera të larta mjedisore dhe turistike.
