Aktuale

Shqiptarët i kërkojnë të jetë në krye të protestës, Marin Mema kthen përgjigjen e prerë

Protesta kundër projektit të Zvërnecit në Tiranë është kthyer në çështjen e ditës në vendin tonë, ku qytetarët dalin çdo ditë në tubim në orën 18:00 përpara Kryeministrisë. Por ajo që ka ngritur shumë pikëpyetje është se kush e organizon këtë protestë dhe kush qëndron në krye të saj.

Edhe pse ditën e djeshme një pjesë e protestuesve deklaroi se përfaqësohet nga një grup nismëtar patriotësh, pa zbuluar emrat e koordinatorëve, dhe renditi pesë kërkesat e tyre për qeverinë shqiptare, ende nuk dihet se cilët janë drejtuesit. Ndërkohë, ka pasur shumë zëra kundër idesë që protesta të drejtohet nga disa persona, duke kërkuar që ajo të mbetet e lirë.

Një pjesë e qytetarëve kanë kërkuar që në krye të protestës të jetë gazetari i njohur Marin Mema, i cili njihet si një nga figurat më të dashura të publikut në botën e medias.

Lidhur me këtë, në komentet në Instagram është lakuar shpesh emri i tij si drejtues i protestës, por duket se gazetari u ka dhënë fund këtyre zërave.

Gjatë një replike në një koment, Mema ka bërë me dije se ka qenë në protestë dhe do të dalë sërish, por dëshiron t’i qëndrojë larg politikës, pasi sipas tij, ajo nuk është për njerëz idealistë si ai.

“Kam dalë dhe do të dal! Kam folur kur shumë të tjerë heshtën! Politikën nuk e dua! Nuk është për njerëz idealistë si unë”, i është përgjigjur gazetari një komenti në Instagram.

Të Ngjashme