Rritja e tensioneve politike në vend po shoqërohet edhe me incidente konkrete në terren, përfshirë rastin e disa ditë më parë të sulmit fizik në Skenderaj ndaj Hysni Mehanit, në të cilin u përfshi edhe Sami Lushtaku.
Ngjarje të tilla kanë ngritur shqetësime për klimën e ashpërsuar politike dhe mënyrën se si përplasjet verbale po kalojnë gjithnjë e më shpesh në përplasje fizike.
Në këtë kontekst, fushata zgjedhore e 7 qershorit shihet si një periudhë ku tensionet mund të rriten edhe më tej, duke shtuar pyetjet mbi kufijtë e diskursit politik dhe vijat e kuqe që nuk duhet të kalohen.
E për këtë temë për “Bota sot” foli ish-deputeti Adem Salihaj, i cili tha se fushata zgjedhore në Kosovë po shkon mirë, përjashton konfliktin në Skënderaj, që sipas tij nuk lidhet me zgjedhjet.
Madje, ai tha se rastin në Drenicë nuk ishte i papritur, pasi konsideron që në këtë rajon që nga pas lufte ka pasur incidente të dhunës me motive partiake dhe politike.
“Konflikti në Skenderaj ishte konflikt i natyrës partiake, por nuk qe i lidhur me fushatën zgjedhore. Fushata zgjedhore po shkon qetë dhe mirë. Ka shumë palë zgjedhje që nuk ka pasur incidente dhe ne jemi shembull, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për fushata të qeta e tolerante.
Duhet thënë se ky konflikt nuk ishte i papritur. Në disa rajone të Kosovës, e veçanërisht në Drenicë, pothuajse gjatë gjithë periudhës së pasluftës janë manifestuar tendenca të dhunës me motive partiake dhe politike, pasojë kjo e mendësisë se dikush mund të jetë mbi ligjin ose ai është ligji vetë. Kjo mendësi ende sot është prezente. Si pasojë e kësaj mendësie janë vrarë njerëz patriotë e veprimtarë të mëdhenj të çështjes kombëtare”, shtjelloi ai.

Adem Salihaj
Gjithashtu, ish-deputeti kritikoi ashpër ata që kontributin gjatë luftës dhe UÇK-në po i përdorin si justifikim për dhunë e hajni.
Krahas kësaj, ai theksoi se lufta e UÇK-së është bërë për vlera kombëtare e çlirim, jo për vrasjen e veprimtarëve të çështjes kombëtare
“Thirrja në kontributin gjatë luftës dhe në UÇK, po përdoret si mbulesë për veprime dhune, hajni e plaçkitje. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët as me vlerat e luftës, as me UÇK-në. Lufta ka qenë e shenjtë dhe asnjë ushtar i vërtetë i UÇK-së kurrë nuk do ta vriste një shqiptar patriotë e veprimtar të çështjes kombëtare.
Pra, lufta e UÇK-së është bërë për vlera kombëtare e çlirim, jo për vrasjen e bashkëkombësve e veprimtarëve të çështjes kombëtare. Kushdo që thirret në vlerat e luftës për të vrarë, ushtruar dhunë, vjedhur e plaçkitur, ai nuk ka asnjë lidhje me UÇK-në, e as me vlerat e saj”, përfundoi Adem Salihaj për “Bota sot”.
