Lajme

Skandal në SHBA, Grenell nën hetim për 5.6 milionë dollarë, Trump kërkon sqarime!

Ish-drejtuesi i Qendrës Kennedy i mohon akuzat për donacionin e padeklaruar, ndërsa administrata e Trumpit kërkon sqarime për destinacionin e parave. Grenell njihet edhe për rolin e tij në dialogun Kosovë–Serbi.

Shtëpia e Bardhë ka nisur shqyrtimin e pretendimeve se një donacion prej 5.6 milionë dollarësh, i destinuar për Qendrën Kennedy në Uashington, nuk është depozituar gjatë periudhës kur institucioni drejtohej nga diplomati amerikan Ric Grenell, raporton “New York Post”, transmeton “Bota sot”.

Sipas gazetës amerikane, akuzat janë ngritur nga Alina Habba, ish-avokatja personale e presidentit Donald Trump, e cila pretendon se bashkëshorti i saj, biznesmeni turk Turhan Mildon, kishte dhënë kontributin financiar për qendrën, por paratë nuk kishin përfunduar aty ku ishte paraparë.

Habba ia ka paraqitur pretendimet Trumpit gjatë një takimi në Zyrën Ovale. Presidenti amerikan më pas ia ka referuar çështjen këshilltarit juridik të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, për shqyrtim të mëtejshëm.

Sipas një zyrtari të administratës, në fillim të vitit 2025 Grenell dyshohet se e kishte bindur Mildonin të kryente një transfertë bankare prej 17.6 milionë dollarësh, në kuadër të një marrëveshjeje biznesi. Nga kjo shumë, 5.6 milionë dollarë supozohej të shkonin për Qendrën Kennedy.

Megjithatë, pretendimet nuk janë vërtetuar përfundimisht dhe disa burime të cituara nga gazeta kanë shprehur dyshime për vërtetësinë e tyre.

Grenell i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka kërkuar asnjëherë që paratë të dërgoheshin diku tjetër në emër të Qendrës Kennedy dhe se nuk ka marrë asnjë pagesë nga Mildon.

“Absurde. Unë nuk kam kërkuar kurrë që qoftë edhe një cent të dërgohej diku tjetër, duke pretenduar se ishte për Qendrën Kennedy, dhe nuk kam marrë kurrë asnjë pagesë prej tij”, deklaroi Grenell për “New York Post”.

Ai kërkoi që akuzat të mbështeten me prova konkrete.

Mospërputhje në regjistrat financiarë

Sipas raportimit, stafi i Qendrës Kennedy kishte kërkuar vitin e kaluar të identifikonte një kontribut prej rreth 6 milionë dollarësh nga Mildon, por nuk kishte arritur ta gjente atë në regjistrat e institucionit.

Një ish-punonjës përgjegjës për administrimin e donacioneve deklaroi se në regjistra figuronte një zotim për dhurim prej 270 mijë dollarësh, shumë e cila ishte paguar më vonë.

Ndërkohë, disa zyrtarë të administratës amerikane kanë shprehur skepticizëm ndaj pretendimeve të Habba-s, duke theksuar se drejtuesit aktualë të institucionit nuk kanë prova që konfirmojnë versionin e saj.

Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar se paratë e pretenduara janë përvetësuar apo se Grenell ka kryer ndonjë shkelje. Çështja mbetet në fazën e shqyrtimit të akuzave dhe dokumentacionit financiar.

Grenell, i njohur edhe për qëndrimet ndaj Kosovës

Ric Grenell është një figurë e njohur për publikun në Kosovë për shkak të rolit të tij në politikën e jashtme amerikane dhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë administratës së parë të Donald Trumpit, Grenell shërbeu si i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat Kosovë–Serbi dhe ishte i përfshirë në procesin diplomatik që çoi te marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020.

Ai ka vazhduar të komentojë zhvillimet politike në Kosovë edhe pas përfundimit të mandatit të parë të Trumpit, duke tërhequr vëmendjen me qëndrimet e tij për çështje që lidhen me dialogun dhe marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Zhvillimi i fundit në SHBA lidhet me pretendimet për donacionin e destinuar për Qendrën Kennedy. Deri më tani, nuk ka të dhëna që ta lidhin këtë çështje financiare me veprimtarinë politike të Grenellit në Kosovë.

Grenell drejtoi Qendrën Kennedy nga shkurti i vitit 2025 deri në mars të vitit 2026.

Të Ngjashme