Qytetarët në Tiranë kanë protestuar për më shumë se 120 ditë kundër Qeverisë Rama, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Megjithatë, pas më shumë se katër muajsh protestash, është ngritur edhe çështja e intensitetit të tyre dhe e presionit që ato kanë arritur të krijojnë ndaj qeverisë.
Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se protesta ka hyrë në një fazë tjetër, duke theksuar se një mobilizim kaq i gjatë nuk kishte ndodhur më parë në historinë e Shqipërisë.
“Dje ishte dita e 122-të e protestave të përditshme të qytetarëve dhe sidomos të rinisë shqiptare në Tiranë. Një protestë kaq e gjatë në kohë nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Është quajtur revolucioni i flamingove, por në të vërtetë shkon përtej, shumë përtej flamingove. Nuk është e vërtetë ajo që thotë kryeministri i Shqipërisë, se protesta drejtohet kundër Donald Trump. Ajo drejtohet kundër politikave kriminale të qeverisjes së Edi Ramës. Shqiptarët janë lodhur tashmë me këto politika dhe kërkojnë ndryshimin.
Por ka një dallim midis entuziazmit të dy javëve të para dhe entuziazmit të sotëm në pjesëmarrjen dhe dinamikën e kësaj proteste. Dy javët e para shqiptarëve iu kthye shpresa se më në fund do të çlirohen nga politikat e bashkëpunimit me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës të qeverisë së Edi Ramës. Edhe ata që nuk ishin në protestë kishin një zemërim e shpresë të madhe për ndryshimin e shumëkërkuar. Por më vonë protesta sikur është zbehur, së paku edhe për nga pjesëmarrja, por edhe për nga mesazhet që përcillen nëpërmjet saj. Ka pasur disa impulse në ditë të caktuara për shkak të pjesëmarrjes së diasporës. Tani pritet që studentët t’i japin asaj një dimension tjetër. Megjithatë, nuk pres që kjo protestë ta rrëzojë qeverinë më të inkriminuar në historinë e Shqipërisë, të Ballkanit e të Europës”, ka thënë ai.
Sipas Bytyçit, një nga arsyet e zbehjes së protestës lidhet me përpjekjet për ta manipuluar atë dhe me përplasjet mes grupeve të ndryshme që marrin pjesë në të.

Prof. Dr. Enver Bytyçi
“Zbehja e protestës ka ardhur për shkak të përpjekjeve për ta manipuluar atë. Protestuesit kanë qenë, sidomos në fillim, me një pjesëmarrje heterogjene, të shumë grupeve politike, ideologjike e të interesit. Por edhe sot ka grupe të ndryshme. Kjo ka bërë që të ketë diskordanca dhe jo përpjekje për harmoni dhe bashkim në qëllimin kryesor, rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. Dikush u kujdes qëllimisht që Edi Ramës t’i bashkëngjiste edhe opozitën në përgjegjësi. Dhe është e vërtetë se opozita ka përgjegjësinë e saj politike. Por vënia e barazimit midis krimit në pushtet dhe përgjegjësive të opozitës ndikoi që opozitarët të ftohen dhe gradualisht të largohen nga protesta. Mua më ka qëlluar disa herë të shoh, kur demokratë të lodhur e të përndjekur nga qeveria Rama në 13 vite të qeverisjes së tij të largohen nga protesta për shkak të brohoritjeve kundër liderit të opozitës. Po sa të tjerë nuk i kam parë unë me sy?! Së paku qindra. Po ashtu, jam i bindur se edhe në grupet e tjera ka pasur të zhgënjyer nga protesta për shkak të goditjeve pa vend të grupacionit që ata përfaqësojnë”, ka vlerësuar ai.
Gjithashtu, Bytyçi ka folur edhe për zhvillimet e fundit që do të duhej të ndikonin në zgjerimin dhe fuqizimin e protestave.
Ai ka përmendur edhe rastin e ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, si dhe pretendime për skandale të tjera që pritet të bëhen publike.
“Përpjekja për të shtënë në dorë protestën dhe për ta përdorur atë për qëllimet politike, p.sh. të Agron Shehajt, Adriatik Lapajt ose Altin Qorrit, por edhe të ndonjë tjetri, padashur ka bërë që veprimi aktiv i protestës të ngadalësohet e të bëhet jo aq ndikues sa duhet. Në vend që kjo protestë t’i bashkonte forcat opozitare, ajo shërbeu për përçarjen e tyre. Kësisoj Edi Rama arriti deri më sot t’i mbijetojë zemërimit popullor. Por kjo protestë një gjë madhore e ka arritur: ka diskredituar figurën gati të shndërruar në mit të kryeministrit Rama. E ka bërë atë një dordolec, që kur njerëzit e shohin, e urrejnë. Kjo është një arritje shumë e madhe. Rrënimi i autoritetit të Edi Ramës përmes kësaj proteste dhe algoritmit në rrjetet sociale ka shkaktuar panik jo vetëm te lidershipi i inkriminuar në qeverisje, por edhe te grupet kriminale e mafioze në Shqipëri e të lidhura me Shqipërinë. Ndërkohë po zbulohen skandale të mëdha. Ajo që ka ndodhur me shefen e SHISH, Vlora Hyseni, është kulmi i deritashëm i kapjes së shtetit nga bandat kriminale të drejtuara nga vetë kryeministri i vendit. Them për deri tani, sepse priten publikime të reja. Një regjisor austriak ka realizuar një dokumentar me të cilin denoncon korrupsionin dhe pastrimin e parave edhe nga ana e familjarëve të kryeministrit Rama”, ka potencuar Bytyçi.
Në fund, ai ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Rama pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i lidhur ato me dokumentarin për të cilin pretendon se pritet të publikohet.
“Kjo ishte arsyeja mesa duket pse Rama sapo u kthye nga SHBA-të doli dhe u betua se “në xhepin e tij nuk kishte asnjë qindarkë të dikujt tjetër”! Po i paraprinte akuzave që do të vijnë, siç thuhet, nga dokumentari në fjalë. Megjithëse ka mundësi që ai të paguajë një shumë të majme për të mos u shfaqur dokumentari përvëlues kundër tij. Edhe kjo ndodh. Mafia kur bashkohet me pushtetin e një kryeministri dhe qeverie është e aftë të bëjë gjithçka. Dhe të gjitha këto që thashë do të duhej të ndikonin që protesta të zgjerohej, të ishte më e fuqishme. Nuk po ndodh deri tani. Pikërisht për shkak të përçarjes dhe mospërqendrimit te përgjegjësi kryesor i situatës në Shqipëri, kryeministri Edi Rama”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.
