Rreth 40 pensionistë në fshatin Xarrë të Bashkisë Konispol pretendojnë se kanë mbetur pa pensionet që u takojnë prej muajsh, ndërsa disa prej tyre thonë se nuk kanë marrë asnjë pagesë deri në 13 muaj. Historia tronditëse u denoncua në emisionin Fiks Fare, ku të moshuarit rrëfyen se janë detyruar të jetojnë me ndihmën e fëmijëve, pasi të ardhurat e vetme që kishin nuk u janë dhënë.
Shumica e pensionistëve jetojnë pjesën më të madhe të vitit në Greqi, Suedi apo vende të tjera dhe, sa herë janë kthyer në Shqipëri për të tërhequr pensionet e prapambetura, kanë marrë të njëjtën përgjigje nga postieri që ua shpërndante: “Nuk kam ç’tu jap, prisni.”
Sipas tyre, disa nuk kanë marrë pensionet prej 5, 6 apo 8 muajsh, ndërsa ka raste kur mungojnë pagesat për plot 13 muaj. Dëmi ekonomik për familjet varion nga rreth 1 milion deri në mbi 7 milionë lekë të vjetra.
See also BKH dhe SPAK punojnë larg “syve dhe veshëve” të Policisë së Shtetit? Klodian Braho sqaron njëherë e mirë marrëdhëniet mes tyre, bën PARALAJMËRIMIN e fortëPërballë kamerës së Fiks Fare, ish-shpërndarësi i pensioneve në zonë, Fatmir Dula, e pranoi se nuk ua ka dhënë pensionet një pjese të banorëve. Ai e cilësoi këtë si një gabim shumë të rëndë dhe deklaroi se u detyrohet rreth 40 pensionistëve, me një vlerë totale prej afro 37 milionë lekësh të vjetra.
Sipas Dulës, ai pret të përfundojë procedurat e trashëgimisë së një prone, të cilën synon ta shesë për të shlyer të gjitha detyrimet ndaj pensionistëve.
“Brenda rreth 15 ditësh, sapo prona të kalojë në emrin tim dhe të realizohet shitja, do t’u kthej të gjitha paratë,” u shpreh ai, duke pranuar se pensionistët kanë të drejtë të mos e besojnë më.
Pas denoncimit, Fiks Fare iu drejtua edhe Postës Shqiptare. Drejtoresha e Postës Sarandë, Aida Demi, deklaroi se institucioni nuk ka marrë asnjë ankesë zyrtare me shkrim nga pensionistët.
See also U rrit me dhunë dhe torturë nga babai, Bia Khalifa bën rrëfimin prekës për jetën e sajSipas saj, Fatmir Dula ka punuar për rreth 30 vite në Postën Shqiptare dhe në mars të vitit 2026 ka dalë në pension, duke ndërprerë marrëdhëniet e punës. Ajo shtoi se, nëse depozitohet një ankesë zyrtare, çështja do t’u referohet menjëherë institucioneve kompetente për hetim.
Në fund, së bashku me përfaqësues të Postës, Fiks Fare u rikthye në Xarrë, ku pensionistët, pavarësisht dëmit që pretendojnë se kanë pësuar, thanë se nuk duan që ish-postieri të ketë pasoja, pasi për shumë vite ai kishte qenë korrekt me ta.
Ata vendosën t’i japin edhe 10 ditë afat për të shitur pronën dhe për t’u kthyer të gjitha paratë. Nga ana e tij, Fatmir Dula i falënderoi për mirëkuptimin dhe premtoi edhe një herë se nuk do të ndihet i qetë derisa të shlyejë çdo detyrim ndaj tyre./Top Channel
