Lajme

“Skenari më i keq është afër” – Abdixhiku pas takimit me Kurtin paralajmëron zgjedhje të reja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, i cili është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës në kuadër të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit.

Kreu i LDK-së pas takimit që ka zgjatur rreth një orë ka thënë se janë dakorduar që të mos takohen më.

Abdixhiku ka thënë se vendi duhet të jetë i përgatitur për zgjedhje të reja nëse nuk arrihet marrëveshje politike, duke theksuar se LDK që nga fillimi ka mbajtur qëndrim të qartë për mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit.

“Duhet të bëhemi gati për skenarin më të rëndë, më të keq dhe më të pakuptueshëm, atë të zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme. Prej fillimit LDK ka qenë e qartë që presidenti s’duhet të jetë zgjatim i qeverisë. S’mund të ketë një qeveri që ka edhe presidentin e një partie, pra t’i ketë tri institucionet”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se ka bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje, por sipas tij nuk është arritur marrëveshje.

“U përpoqa, provova, por nuk arrita fatkeqësisht. Tani i kthehemi LDK-së dhe misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda partisë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka kritikuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ka pasur insistim që pozita e presidentit t’i mbetet kësaj partie.

“Insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet LVV-së”, është shprehur ai.

Sipas tij, LDK ka refuzuar të diskutojë për emra pa u trajtuar paraprakisht çështja e parimit të zgjedhjes së presidentit.

“Unë refuzova të flasim për çdo tjetër pa trajtuar çështjen e presidentit. S’mund të propozojmë emër për dikë që insiston që kjo pozitë t’i takojë partisë së tij”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se mes LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk është diskutuar asnjë emër konkret, përveç rastit të Glauk Konjufcës, për të cilin LDK ka shprehur kundërshtim për shkak të pozicionit të tij partiak.

Të Ngjashme