Lajme

Sorensen: Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka vdekur, së voni dha rezultate konkrete për të pagjeturit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka deklaruar se dialogu i Brukselit “nuk ka vdekur” dhe se procesi po vazhdon, duke sjellë edhe rezultate konkrete.

Në një intervistë për të përditshmen serbe Danas, Sorensen ka thënë se ndër rezultatet e fundit të dialogut është përparimi lidhur me personat e zhdukur, si dhe disa marrëveshje praktike që, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Dialogu vazhdon dhe ka dhënë rezultate konkrete, përfshirë përparimin e fundit në lidhje me personat e zhdukur dhe marrëveshjet praktike që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Sorensen.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2023 dhe Aneksit të saj të Ohrit vazhdon të jetë i pamjaftueshëm.

“Zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2023 është ende i pamjaftueshëm. Të dyja palët duhet të përshpejtojnë përmbushjen e obligimeve të tyre. Nuk ka alternativë ndaj procesit të normalizimit”, ka thënë ai.

I pyetur se sa po e vështirëson punën e tij kriza institucionale në Prishtinë, Sorensen ka shmangur komentimin e politikës së brendshme të Kosovës, por ka theksuar se institucionet funksionale janë të rëndësishme për zbatimin e marrëveshjeve.

“Institucionet plotësisht funksionale, natyrisht, e lehtësojnë marrjen e vendimeve dhe zbatimin. Në të njëjtën kohë, obligimet e marra në dialogun për normalizimin mbeten të vlefshme pavarësisht cikleve zgjedhore apo politike”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, BE-ja do të vazhdojë të ndërmjetësojë procesin dhe të lehtësojë zbatimin e obligimeve nga të dyja palët.

Duke folur për thirrjen e tij ndaj Prishtinës që të nisë negociatat për “marrëveshjet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb”, Sorensen ka thënë se kjo nuk është një kërkesë e re.

“Kjo nuk është diçka e re. Është një obligim i kahershëm dhe një obligim i përfshirë në Aneksin e zbatimit të dakorduar në Ohër në mars të vitit 2023”, ka thënë ai.

Sorensen ka theksuar se BE-ja pret nga të dyja palët zbatimin e plotë të obligimeve të përcaktuara në marrëveshjen e vitit 2023 dhe aneksin e saj.

“Zhvillimet politike apo zgjedhore nuk i ndryshojnë këto obligime”, ka deklaruar ndërmjetësi evropian.

Në lidhje me çështjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, Sorensen ka thënë se BE-ja e ka mirëpritur tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serbë, ndërsa ka shprehur shqetësim për vendimet e mëvonshme që kanë ndikuar në këtë proces.

“BE-ja vazhdon të theksojë rëndësinë e sundimit të ligjit dhe të një sistemi gjyqësor që pasqyron karakterin multietnik të Kosovës”, ka thënë ai.

I pyetur për pretendimin e Beogradit se dialogu duhet të zhvillohet duke respektuar Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Sorensen ka deklaruar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja bazohet në një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja bazohet në Rezolutën 64/298 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 2010, e cila mirëpriti gatishmërinë e BE-së për të ndërmjetësuar dialogun”, ka thënë ai.

Sorensen ka pranuar se Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për statusin, por ka thënë se pikërisht për këtë arsye ekziston dialogu për normalizimin e marrëdhënieve.

“Qëllimi i dialogut për normalizimin është t’u mundësojë atyre të trajtojnë çështjet praktike, të normalizojnë marrëdhëniet dhe të zbatojnë obligimet që tashmë i kanë marrë”, ka deklaruar ai.

“Dialogu udhëhiqet nga BE-ja, SHBA-ja është partner i rëndësishëm”

Sa i përket rolit të Shteteve të Bashkuara në dialog, Sorensen ka theksuar se procesi udhëhiqet dhe ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Shtetet e Bashkuara janë një partner i rëndësishëm dhe koordinimi i ngushtë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së e mbështet procesin e normalizimit”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas tij, përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e marrëveshjeve mbetet te Kosova dhe Serbia.

“Partnerët e jashtëm mund ta lehtësojnë dhe mbështesin procesin, por vetë palët duhet t’i përmbushin obligimet e tyre”, ka theksuar Sorensen.

I pyetur për qëndrimin se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka mandat kushtetues për të negociuar dhe se disa prej zgjidhjeve të dakorduara në Ohër janë në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë, Sorensen ka thënë se BE-ja nuk ndërhyn në çështjet e brendshme kushtetuese të palëve.

“BE-ja nuk vendos për çështjet që lidhen me marrëveshjet e brendshme kushtetuese të njërës prej palëve”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, ai ka përsëritur qëndrimin e BE-së se marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i zbatimit janë obliguese për të dyja palët.

“Qëndrimi i BE-së është i qartë: Marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i saj i zbatimit janë obligues për të dyja palët dhe përbëjnë pjesë të rrugës së tyre evropiane. BE-ja pret që të dyja palët t’i përmbushin plotësisht obligimet e tyre”, ka përfunduar Sorensen.

Të Ngjashme