Kryedemokrati Sali Berisha doli dje në një konferencë për mediat nga selia blu, ndërsa u bëri thirrje dje anëtarëve të Partisë Demokratike të marrin pjesë në votimin për votëbesimin e tij si kryetar, në një proces që zhvillohet pa kandidat alternativ dhe që mbahet sot.
Kreu i PD-së e paraqiti këtë si një standard të avancuar të demokracisë së brendshme, ndërsa justifikoi mungesën e rivalëve me faktin se, sipas tij, shumë figura politike shmangin garën për shkak të pasigurisë për rezultatin. Deklarata e Berishës vjen në një moment kur brenda Partisë Demokratike janë përjashtuar ose mbajtur jashtë procesit figura që kishin shprehur ambicie apo interes për të garuar për drejtimin e partisë. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi hapjen reale të garës dhe funksionimin e mekanizmit “një anëtar, një votë”, që Berisha e cilësoi, si modelin më modern të përzgjedhjes politike. Ndër të tjera në deklaratën për mediat, Berisha theksoi se procesi është “plotësisht i hapur”, por argumentoi se shumica e garave të tilla zhvillohen me një kandidat të vetëm, pasi sipas tij, rivalët nuk duan të përballen me mundësinë e humbjes.
Ai shmangu çdo koment për kritikat që lidhen me mënyrën si janë trajtuar zërat kundërshtarë brenda PD-së gjatë viteve të fundit, ndërsa kërkoi pjesëmarrje të gjerë të anëtarësisë në votimin e nesërm. “Së pari e shfrytëzoj këtë rast të përshëndes përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike kudo që janë dhe t’i ftoj në një akt përgjegjësie, në një akt vlerësimi për qëndresën e tyre, për qëndrimet e tyre, të votojnë nesër në liri të plotë, sipas vullnetit dhe dëshirës së tyre, në një proces i cili përfaqëson nivelet më të larta të konfirmimit apo zgjedhjes së kryetarëve të partive. Procesi i zgjedhjes me një anëtar një votë apo i votëbesimit me një anëtar një votë, është forma më epërore e cila për hir të së vërtetës, në 70-75% të rasteve që përdoret, është me një kandidat. Jo se ajo nuk është e hapur, ajo është plotësisht e hapur, por sepse të tjerë, personalitete të tjera, ngurojnë një garë ‘një votë një anëtar’ për arsye të pasigurisë që ka ajo në rezultatin e fitores dhe nuk duan të përballen të regjistrojnë një jo-fitore”, deklaroi dje Berisha.
