SPAK konfirmon lidhjen e Ergys Agasit me Visin e Pojës, bashkëinvestitorë në projekt për kompleks vilash luksoze në Farkë, ja detajet nga hetimet e prokurorëve specialë
Prokuroria Posaçme (SPAK) konfirmon lidhjen e Ergys Agasit me Elvis Doçin, i njohur si Visi i Pojës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si kreu i një grupi kriminal që trafikonte kokainë. Nga hetimet e prokurorisë që çuan në sekuestrimin e 40 milionë eurove pasuri të Agasit, Ermal Beqirit, të dy të dyshuar si krerë të grupit kriminal që vepronte brenda AKSHI-t dhe Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoreshë e institucionit, rezulton se Agasi po planifikonte të ndërtonte një kompleks luksoz në periferi të Tiranës bashkë me Visin e Pojës si bashkëinvestitor.
Lidhur me një sipërfaqe toke në Farkë rezulton se: Pasuria me nr.73, ndodhur në zonën kadastrale 3091, e llojit Arë me sipërfaqe 10 300 m², ndodhur në Njësinë Administrative Farkë, Tiranë, vol.2 fq.128. Kjo pasuri e paluajtshme ka kaluar në pronësi me kontratën e shitjes nr. 11/10 rep/kol datë 08.02.2021 mbajtur para notere E. J midis shtetasve A. Lamja, H. Lamja, Q. Lamja etj si shitës, shtetasit A dhe N Alliu si dhënës pëlqimi dhe shtetasve Ergys dhe Megi Agasi si blerës, me çmim shitje 55.000 Euro ose 6 EUR m2, të cilat do të derdhen në llogarinë e posaçme ESCROE të noteres hapur.
Gjithashtu më vonë, më datë 02.03.2021 shtetasit A. Alliu dhe N. Alliu kanë shkëmbyer pjesën e tyre takuese në pasurinë e mësipërme me pasurinë 744/4 ZK 3091 në pronësi të shtetasit Ergys Agasi dhe M. Agasi me kontratën e shkëmbimit me nr. 18/16 rep/kol, mbajtur pranë noteres Enina Juniku. Më datë 06.03.2021 lidhet kontratë sipërmarrje (për marrjen për investim të një sip toke) midis shtetasit Ergys Agasi dhe M. Agasi si pronarë të truallit dhe subjektit “Eldemar Construction” me nipt L01714506V me ortak dhe administrator shtetasit Elvis Doçi, për të realizuar një bashkëinvestim në realizimin e një projekti ndërtimor “Kompleksi rezidencial Vila” me sip zhvillimore 10 300 m2, ku pala pronare e truallit do të përfitojë 50% të sipërfaqes së përgjithshme ndërtimore të objektit të parashikuar në projektin që do të miratohet”, thuhet në dosjen e SPAK. Agasi është cilësuar më herët si eminenca gri e kryeministrit dhe lidhje e fortë e klanit Troplini në Durrës, që drejtohet nga Xhevdet Troplini, i njohur si Poja.
SPAK për sekuestrimin e 40 mln € pasuri të grupit të AKSHI-t: Rrezikohet tjetërsimi i tyre
Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, dy prokurorët e dosjes se Akshit në kërkesën e tyre për vendosjen nën sekuestro të aseteve të personave të përfshirë pretendojnë se bllokimi i tyre do te ndalojë tjetërsimin apo asgjësimin e tyre. Referuar dosjes hetimore, Dumani dhe Maksuti thonë se pa një bllokim të menjëhershëm të këtyre aseteve (luajtshme, paluajtshme dhe llogari bankare), ekziston një rrezik i lartë dhe konkret që këto pasuri të tjetërsohen, asgjësohen apo të transferohen te të tretë, duke e bërë te pamundur realizimin e drejtësisë dhe rikuperimin e dëmit ekonomik të shkaktuar buxhetit të shtetit.
Ne përfundim, thonë dy përfaqësuesit e SPAK arsyetohet se janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se veprimet e shoqërisë “EA Solution” sh.p.k përbëjnë një skemë tipike të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, ku subjekti juridik është përdorur si një mjet për transferimin e ryshfetit ne formë të kamufluar tregtare. Argumenti kryesor i këtij kualifikimi qëndron në fiktivitetin absolut te shërbimit te faturuar: ndërkohë që “EA Solution” ka prerë fatura në vlera jashtëzakonisht të larta drejt operatorëve ekonomikë (si “Fastech”, “First”, AESS, Soft & Solution etj.), hetimi ka dokumentuar se kjo shoqëri nuk zotëron asnjë kapacitet teknologjik apo burim njerëzor për te përmbushur objekte te tilla kontrate.
Evidentimi i faktit se shërbimet e faturuara realizoheshin de facto dhe në tërësi nga shogeria ‘Soft & Solution’sh.p.k., provon fiktivitetin e marrëdhënies kontraktore, duke e zhveshur transaksionin nga çdo shkak i ligjshëm tregtar dhe duke e kualifikuar atë si një transfertë te përfitimit te parregullt me natyrë korruptive. Këto pagesa nuk përbëjnë kosto për punë të kryer, por përfaqësojnë çmimin e përfitimit te parregullt korruptiv që i hetuari Ergys Agasi dyshohet se ka përfituar në bashkëpunim me titullaren e “AKSHI”-t, Mirlinda Karçanaj.
Kjo skemë e rikthimit të parave, krijon dyshimin e arsyeshëm të bazuar ne prova se kemi të bëjmë me një shpërblim të parregullt, ku paratë e taksapaguesve janë rikthyer te personat me lidhje te ngushta me të hetuarën Mirlinda Karçanaj, në cilësinë e titullares së AKSHI-it, si shpërblim për garantimin e fitimit të tenderave, duke krijuar dyshime te arsyeshme te bazuara ne prova mbi ekzistencën e elementeve të figurave te veprave penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv te personave qe ushtrojnë funksione publike, pastrimit të produkteve të veprës penale të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të strukturuar kriminal.
