Aktuale

Spartak Ngjela zbërthen prapaskenat e revoltës qytetare që po trondit establishmentin, si po shkojnë Rama-Berisha

Spartak Ngjela zbërthen prapaskenat e revoltës qytetare që po trondit establishmentin, si po shkojnë Rama-Berisha drejt greminës dhe kush fshihet pas skenarit që po çon në “gijotinë” kastën e vjetër politike
Avokati dhe politikanë i njohur, Spartak Ngjela, ka komentuar me tone të forta protestat masive që kanë mbërthyer Tiranën, qytete të ndryshme në Shqipëri, si dhe komunitetet e shqiptarëve kudo nëpër botë. Përmes dy reagimeve të njëpasnjëshme në rrjetet e tij sociale, juristi i njohur ka bërë një skaner të ftohtë të situatës politike në vend. Ngjela thekson se rinia studentore dhe intelektualët e rinj kanë krijuar një gravitacion të ri antiqeveritar që po lëkund themelet e pushtetit. Sipas tij, me talentin dhe intuitën e tyre, protestuesit e kanë kuptuar se krerët e dy partive kryesore, konkretisht Edi Rama i Partisë Socialiste dhe Sali Berisha i Partisë Demokratike, janë bashkërisht në lojën e korrupsionit.

Avokati paralajmëron se ekuacioni i forcës në bulevard po thyen legjitimitetin e Edi Ramës, pasi numri i pjesëmarrësve pritet të kalojë çdo rekord historik. Ai shton se kur kryeqyteti ngrihet në këmbë, i gjithë shteti e ndjek pas, duke e bërë të pamundur ndaljen e kësaj vale rinore. Ky marshim po shihet si fillimi i një epoke të re që synon të fshijë mykun regresiv tridhjetëvjeçar të politikës shqiptare. Përballë këtij presioni, Ngjela parashikon greminën e përbashkët politike të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demorkatike, Sali Berisha, të cilët nuk kontrollojnë dot më revoltën e pastër popullore. Në fund, ai vlerëson se i vetmi akt që mund të qetësojë sheshin është dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit. Në vijim, reagimet e plota të Ngjelës po i pasqyrojmë.

Reagimi i parë i avokat Spartak Ngjelës/ Fundi i vargonjve të vjetër

“Kryeqyteti i Shqipërisë Tirana, që sot është qendra kombëtare e shqiptarisë, është ngritur në protestë kundër kryeministrit Edi Rama. Por një proverbë e njohur e demokracisë thotë se; Kur flet kryeqyteti me popullin e vet, e dëgjon dhe e përkrah i gjithë shteti. Prandaj… Rinia e Tiranës në bulevardin e madh të kryeqytetit po shkruan me vlerë historike fillimin e historisë së re të Shqipërisë. Dhe ky është fillimi i një epoke të re, sepse këtë nismë apo fillim, e kanë filluar studentet e ndritur të shqiptarisë në Tiranë.

Erdhi koha e çlirimit nga vargonjtë e ndryshkur të politikës shterpë dhe të vjetër në Shqipëri. Gjithkush duhet ta dijë se, kur në një kryeqytet ngrihen për demokraci studentët e ndriçuar nga historia, askush nuk i ndalon dot: Se ata janë historia jonë. Se ata janë e ardhmja jonë. Se vetëm ata mund ta fshijnë nga jeta politike frymën antikombëtare kundër lirisë, në jetën e një shteti demokratik. Studentët shqiptar po kërkon të fshijë nga historia e Shqipërisë mykun regresiv anti-demokratik: dhe sigurisht që do t’ia arrijë. Asgjë nuk i ndalon dot sot studentët shqiptarë në Tiranë, përveçse vetëm një akti:. Dorëheqja e kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë. Dhe koha e lartësimit shqiptar, tani po duket se ka ardhur me entuziastët riniorë, po në Tiranë. Suksese rini! Se suksesi juaj, është suksesi i ndritur i të gjithë Shqipërisë. Spartak Ngjela, Tiranë më 14 qershor 2026”, shkruan avokat i njohur, Spartak Ngjela në reagimin e parë.

Reagimi i dytë i avokat Spartak Ngjelës/ Gravitacioni antiqeveritar

“Çfarë tregoi protesta e djeshme e rinise studentore dhe intelektualëve të rinj që mbushën bulevardin e madh të Tiranës dhe qëndruan në demonstrim përpara të dyja partive politike; PS dhe PD? Me talentin dhe intuitën e tyre rinia studentore e Tiranës e ka kuptuar që krerët e të dyja partive politike në Shqipëri, PD dhe PS, janë në lojën e korrupsionit dhe jo në atë të zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Dhe koha nuk pret. Por pyetja që ngrihet sot është kjo: Si do të vijojë protesta e rinisë së Shqipërisë në Tiranë. Ekspertët seriozë thonë që sot ajo do të jetë shumë e madhe, dhe do të arrijë e do ta kalojë numrin prej 200 mijë pjesëmarrësve. Dhe kjo, po u rrit vijimisht e çdo ditë, dhe Rama nuk do ta japë dorëheqjen, koha politike do të ndryshoje nga minusi në plus, në lidhje me zhvillimin ideor, politik dhe ekonomik të Shqipërisë, sepse, pas dy ditësh, në bulevardin e madh të Tiranës mendohet se do të jenë rreth 500 mijë pjesëmarrës.

Sepse protesta e djeshme tani ka krijuar gravitacionin e saj antiqeveritar në Shqipëri. Të gjithë duhet ta dinë se një demonstrim politik kundër një qeverie aktuale në pushtet, në funksion psikologjik për një interes të thellë shoqëror, është gjithmonë një psikologji fitimtare; sepse ajo kthehet si një qendër graviteti e një pushteti të ardhshëm e të shpejtë politik. Dhe pas kësaj, në rastin tonë, nuk mund te ketë më pushtet politik për Edi Ramën. Rama na tha dje: “Unë jam zgjedhur nga 800 mijë Shqiptarë”, duke gabuar me mendje-lehtësi, sepse tani pyetja është kjo: po sikur në bulevardin e Tiranës dhe Sheshin Skënderbe, e në sheshet e qyteteve të mëdhenj të Shqipërisë, të dalin 900 mijë qytetare që do të kërkojnë dorëheqjen e tij? Atëherë sigurisht që Rama nuk mund të jetë me kryeministër, sepse vetë e tha botërisht indirekt këtë gjë. Të shohim ditën e sotme. Analistët që e kanë investiguar këtë çështje me ekspertë, mendojnë që në Bulevardin e Madh të Tiranës dhe në Sheshin Skënderbe, sot pasdite, do ketë një numër rekord protestuesish që do të kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Prisni dhe shikoni…”, shkruan avokat i njohur, Spartak Ngjela në reagimin e dytë në rrjetet sociale.

Të Ngjashme