Aktuale

Spiropali godet Ballukun në Asamblenë e PS: Kush janë këta që na shantazhojnë te dyert e familjeve kur flasim për “shefen”?

Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka lëshuar akuza të forta në mënyrë indirekte në drejtim të Belinda Ballukut gjatë fjalës së saj në Asamblenë e PS-së.

Spiropali denoncoi atë që e cilësoi si një klimë presioni, intimidimi dhe përdorimi të institucioneve për interesa personale.

Pa e përmendur drejtpërdrejt me emër Belinda Ballukun, Spiropali përdori termin “shefja”, duke ngritur akuza të forta për njerëz që, sipas saj, shkojnë deri në dyert e familjeve të socialistëve sa herë ata artikulojnë kritika.

“Këta që na vijnë ne nëpër dyert e familjeve sa herë themi një fjalë për ‘shefen’ apo për ‘shefin’. Kush janë këta? Këta që përdorin çdo mjet të mundshëm, nga gjobat dhe shantazhet, tek përdorimi i institucioneve dhe çojnë letra që janë në besim të institucioneve, i çojnë duke përdorur njerëz dhe paguar portale”, deklaroi Spiropali.

Ish-kryetarja e Kuvendit kritikoi ashpër edhe drejtuesit e institucioneve, të cilët i akuzoi se nuk kanë integritet dhe se u shërbejnë individëve të caktuar, në vend që të jenë në shërbim të qytetarëve.

“Në krye të këtyre institucioneve shkojnë njerëz pa asnjë lloj merite, publike, politike, njerëzore! Pa asnjë masë integriteti! I shërbejnë vetëm një apo dy njerëzve. Të verbër!”, u shpreh ajo.

Pjesë nga fjala e Elisa Spiropalit në asamblenë e Partisë Socialiste:

Spiropali: Kemi besuar tek Shqipëria Europiane, tek Shqipëria e transformuar, tek Shqipëria e lirë, tek Shqipëria me institucione të pavarura, tek Shqipëria që u jep mundësinë të giithëve, tek Shqipëria që bën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Tek kjo Shqipëri besojmë ne.

Nëse kjo quhet një flamingo, mirë mo, po shpallem unë flamingo i parë.

Nga dita e parë deri më sot kemi komunikuar privatisht, por një fjalë nuk e kam thënë publikisht. Ndoshta e kam komunikuar me ju, me disa anëtarë të grupit, kaq…duke njohur institucionet.

Ne nuk mund të na bëjnë presion ca njerëz që në ato institucione na turpërojnë çdo ditë.

Në administratën më të dobët që kemi patur ndonjëherë në histori.

Jo se është administratë që është përzgjedhur këtu me kriteret më të mira, por se në krye të këtyre institucioneve shkojnë njerëz pa asnjë lloj merite, publike, politike, njerëzore! Pa asnjë masë integritet! I shërbejnë vetëm një apo dy njerëzve. Të verbër!

E dinë të gjithë këtu… meqënëse u fol për atë që dinë të gjithë dhe nuk e themi, atëherë le ta themi se si krerët e këtyre institucioneve nuk e kanë mendjen t’u përgjigjen qytetarëve, nuk e kanë mendjen as të jenë të barazlarguar nga kjo lojë e shëmtuar politike, nuk e kanë mendjen as aty të thonë “sa mirë që Partia Socialiste më ka besuar”, por ata e kanë mendjen të bëjnë presion, ata e kanë mendjen të bëjnë shantazh.

Kjo është administrata që ju me të drejtë e thatë nga Podgorica se ‘duhet ndryshuar e tëra’ dhe të gjithë drejtorët që janë aty.

Ku janë këto ndryshime? Kush i pengon këto ndryshime? Si janë emëruar këta njerëz? Kë përfaqësojnë këta?

Këta që na vijnë ne nëpër dyert e familjeve sa herë themi një fjalë për “shefen” apo për “shefin”. Kush janë këta? Këta që përdorin çdo mjet të mundshëm, nga gjobat dhe shantazhet, tek përdorimi i institucioneve dhe çojnë letra që janë në besim të institucioneve i çojnë duke përdorur njerëz dhe paguar portale.

Ne disa analiza duhet t’i bëjmë.

Pse kjo administratë ka shkuar në pikën që i shërben më shumë njerëzve dhe klaneve dhe jo interesit publik?

Kjo është thjesht flamingo? Dakord pra, jam flamingo, po është thjesht kështu.

Unë mendoj se jam socialiste, se unë i kam bërë të gjitha betejat në Partinë Socialiste, atëherë kur ministrat ulnin kokën se kishin “punë të tjera”. Duhet t’i përgjigjeshim ne Sali Berishës, vinin fytyrën tonë, sulmoheshim pafund. Unë personalisht, nuk e di për të tjerë.

Për ty! Për ty!

Që ti mund të qeverisje!

Ku ishin këta, këta që ndanë pushtetin si tortë familjare. Pse ky është modeli i PS? A do ta bëjmë ne një model ekonomik që të jetë funksional për tē gjithë apo do vazhdojmë të ndajmë tortal me mesazhe?

Ky është modeli i Partisë Socialiste?

Ky është modeli që meritojnë fëmijët tanë?

Të Ngjashme