Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, është takuar sot në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë takimit është theksuar rëndësia e dialogut të vazhdueshëm, koordinimit efektiv dhe mirëkuptimit të përbashkët.
KFOR-i ka bërë të ditur se vazhdon angazhimin konstruktiv me të gjithë akterët relevantë dhe partnerët ndërkombëtarë, duke u bazuar në paanshmëri, profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë.
Po ashtu, misioni ka ritheksuar se mbetet plotësisht i aftë dhe i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të vitit 1999.
