Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar që sa më shpejt të përgatitet drafti i parë i strategjisë për mbështetjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mënyrë që më pas të hapet diskutimi për përmbajtjen dhe hapat e mëtejmë.
Në emisionin “Intervista e javës”, në KosovaPress Lushtaku ka thënë se pret që puna për këtë strategji të ecë në rrugë të mbarë, duke theksuar nevojën për koordinim dhe kontribut të përbashkët në këtë drejtim.
Sot pritet të mblidhet grupi punues për hartimin e strategjisë për ish-krerët e UÇK-së, të cilët u dënuan në shkallë të parë nga Gjykata Speciale.
“Strategjia për ish-krerët e UÇK-së” Lushtaku: Sa më shpejt të ketë një draft të parë
“Besoj se janë në rrugë të mbarë dhe ka një vullnet, aq sa jemi të informuar, pasi e kemi deleguar besimin te kryetarja Vlora Çitaku dhe të tjerët që mund të japin një kontribut më të madh. Sigurisht se ne do të mundohemi që të japim edhe një kontribut në këtë drejtim. Është mirë që të kemi një draft të parë që tani të diskutojmë tutje në këtë hap”, tha ai.
Ai ka arsyetuar kthimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, duke thënë se ky proces ka qenë i nevojshëm për t’u dhënë mundësi ekspertëve që të kontribuojnë me propozime dhe amendamente të reja.
Sipas tij, nëse nuk arrihet ndryshimi i ligjit përmes amendamenteve, ai duhet të miratohet në formën aktuale nga Kuvendi dhe t’i dërgohet sërish presidentes Shiroka-Pula për dekretim, në mënyrë që të mos kthehet në pikën zero.
Lushtaku: Nëse nuk ndryshohet ligji për Specialen, duhet të miratohet siç është dhe të mos kthehet në pikën zero
“Qëllimi kryesor është që të mbrohen krerët e luftës së UÇK-së dhe të forcohet edhe me amendamente të ndryshme, të cilat mund të kontribuojnë. Ligji nuk është shkruar keq, amendamentet që ne i kemi propozuar kanë qenë adekuate në mbështetje të kauzës që kemi. Ne kemi pasur atë brumë të ligjit në fuqi. Ju e dini se kur është ligji, ne kemi pasur mundësi të bëjmë plotësim-ndryshimin e ligjit. Nuk kemi pasur mundësi ta shfuqizojmë gjykatën, ndoshta vullneti ynë është ta shfuqizojmë krejt gjykatën, por ka pasur dilema të tjera… Derisa është kthyer, ka qenë i nevojshëm dhe prandaj ne ua kemi dhënë një shans edhe ekspertëve të ndryshëm që të japin një kontribut në këtë ligj. Nëse ato amendamente nuk e tregojnë efektin e vet, ligji siç është tani do të shkojë sërish te presidentja. Ne besojmë se nuk duhet të kthehet në pikën zero”, theksoi Lushtaku.
I pyetur nëse kthimi i Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend ka ndërlidhje me zgjedhjet e brendshme në PDK, Lushtaku e ka mohuar një mundësi të tillë, duke thënë se, sipas informatave që posedon, nuk ekziston asnjë lidhje mes këtyre dy proceseve.
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën e komunikimit të PDK-së për këtë çështje, duke vlerësuar se partia është dashur të organizojë një konferencë për media për të sqaruar vendimin, në vend që të publikojë vetëm një komunikatë politike.
Kthimi i ligjit për Specialen në Kuvend, a ndërlidhet me zgjedhjet e brendshme në PDK? Kjo është përgjigjja e Lushtakut
“Nga informatat që i kam, nuk ka asnjë ndërlidhje me zgjedhjet e brendshme të partisë dhe uroj që të mos ketë asnjë mendim të tillë as brenda dhe jashtë partisë. Ja që është keqinterpretuar pastaj për shkak të mungesës së komunikimit të PDK-së. Edhe unë personalisht jam kritik ndaj kësaj qasjeje, pasi që nga fillimi është dashur të dilet në konferencë për media dhe të mos bëhet vetëm një komunikatë politike”, shtoi ai.
Ai ka folur edhe për Projektbuxhetin e Qeverisë Kurti për vitin 2027, duke kritikuar nivelin e investimeve kapitale dhe realizimin e projekteve të planifikuara.
Lushtaku ka pretenduar se mbi një miliard euro më pak investime kapitale janë pasojë e mungesës së aftësisë dhe vullnetit të Qeverisë për t’i realizuar projektet e premtuara, përfshirë rrugë të ndryshme dhe stadiume.
Sipas tij, problemi nuk qëndron te planifikimi buxhetor, por te mungesa e kapaciteteve për zbatimin e vendimeve dhe përfundimin e projekteve.
“Mbi 1 miliard euro kemi më pak investime kapitale. Kjo për shkak të dështimit që e ka pasur Qeveria. Ka premtuar edhe rrugë të ndryshme dhe stadiume. Dështimi i madh është te ekipi, pasi ata nuk janë profesionalisht të përgatitur për t’i realizuar. Këtë dështim më së shumti e vuan qytetari…Nuk është se ka munguar planifikimi buxhetor, por ka munguar aftësia për t’i realizuar dhe vullneti për t’i çuar deri në fund vendimet. Ne kemi parë te shumë projekte që janë të planifikuara me zero, mbi 22 projekte. Janë diku vetëm 18 për qind projekte të reja që planifikohen në vitin 2027. Mbi 82 për qind janë të bartura vit pas viti dhe kjo tregon për aftësinë e tyre”, përfundoi ai
