Lajme

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë rikthimin e protestave

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë rikthimin e protestave nëse nuk marrin një përgjigje konkrete nga qeveria e Hristjan Mickoskit për zhvillimin e plotë të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ata kundërshtojnë vendimin e qeverisë maqedonase për t’ia dërguar çështjen Komisionit të Venecias, duke e cilësuar si një përpjekje për zvarritje.

Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, tha të dielën se javën e ardhshme do të mblidhet grupi organizativ për të vendosur hapat e mëtejshëm.

“Për javën e ardhshme kemi thirrur një mbledhje të grupit organizativ për të vendosur për hapat e radhës. Protesta mbetet opsion. Para se të marrim atë vendim, do të diskutojmë mundësinë e një përpjekjeje të fundit për bashkëbisedim me institucionet. Pas kaq muajsh, nga ai takim presim një përgjigje konkrete se kur dhe si do të mund të jepet i gjithë provimi në shqip. Nëse edhe kjo përpjekje përfundon pa rezultat, si studentë vështirë se shohim rrugë tjetër përveç rikthimit në protesta paqësore”, deklaroi Ademi.

Studentët kundërshtojnë dërgimin e propozimit në Komisionin e Venecias, pasi argumentojnë se Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e rregullojnë tashmë përdorimin zyrtar të shqipes. Ademi ngriti pikëpyetje edhe për vonesën e qeverisë, duke kujtuar se kryeministri Hristijan Mickoski kishte folur që më 10 shkurt për mundësinë e marrjes së një mendimi nga Komisioni i Venecias.

“Nëse Qeveria e konsideronte të domosdoshëm këtë mendim, përse nuk veproi që atëherë? Përse priti nëntë muaj për të kërkuar në nëntor një mendim që tani e quan urgjent?”, tha ai.

Përfaqësuesi i studentëve kundërshtoi gjithashtu modelin e propozuar nga Mickoski, sipas të cilit pjesa teorike e provimit mund të zhvillohet në shqip, maqedonisht, anglisht dhe turqisht, ndërsa pjesa praktike vetëm në maqedonisht.

“Duke e lidhur përdorimin e shqipes vetëm me gjuhën në të cilën ka studiuar kandidati, ai anashkalon Kushtetutën dhe shpërfill një fakt themelor: shqipja është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Kjo praktikë është e rrezikshme, sepse e kthen pas përdorimin zyrtar të shqipes”, theksoi Ademi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar kërkesën për një mendim urgjent nga Komisioni i Venecias mbi modelin e propozuar të provimit. Ministria e Drejtësisë kërkon të vlerësohet nëse ai përputhet me Kushtetutën dhe standardet europiane.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Bekim Sali e ka paraqitur këtë vendim si një hap drejt mundësimit të provimit në shqip. Megjithatë, ende nuk është miratuar një ligj që e garanton këtë të drejtë.

Rreth 400 studentë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Europës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” kanë firmosur edhe një peticion që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, ashtu siç i ndjekin studimet.

Deri më tani ata kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve./Shqiptarja.com/

Të Ngjashme