Sulmet ruse kanë vrarë të paktën 10 persona në Ukrainë, gjashtë në Dnipro dhe katër në kryeqytetin Kiev, në atë që konsiderohet një nga sulmet më të mëdha të Moskës në muajt e fundit.
Dhjetëra persona të tjerë janë plagosur, përfshirë disa fëmijë, pasi sulmet ajrore gjatë natës goditën blloqe banesash. Ekipet e emergjencës po punojnë për të gjetur persona që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja në Kiev.
Alarmet për sulme ajrore ishin aktive në pjesën më të madhe të Ukrainës në orët e para të mëngjesit të së martës.
Moska javën e kaluar paralajmëroi se do të kryente “sulme sistematike” ndaj Ukrainës si përgjigje ndaj një sulmi me dron në një konvikt në rajonin e pushtuar nga Rusia, Luhansk, ku u vranë 21 persona.
Re të mëdha tymi u panë duke u ngritur mbi qendrën e Kievit. Kryetari i qytetit, Vitali Klitschko, u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimore. Ndërkohë, kreu i Administratës Ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, deklaroi: “Armiku po godet me raketa balistike”, raporton BBC.
Klitschko tha gjithashtu se ekziston frika se disa persona mund të jenë të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të dëmtuara.
Në Rusi, qendra e reagimit emergjent në rajonin Krasnodar Krai raportoi një zjarr në Ilsky Oil Refinery pas një sulmi me dron. Sipas autoriteteve, nuk pati viktima.
Gjatë sulmit ndaj Kievit në orët e para të mëngjesit, u dëgjuan zhurma dronësh dhe më shumë se një duzinë shpërthimesh të fuqishme.
Sulmet shkaktuan zjarre pranë një pike karburanti, një kantieri ndërtimi, disa pallateve të banimit dhe dy shtëpive private. Gjithashtu janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në pjesë të qytetit.
Një objekt industrial është goditur edhe në Zaporizhzhia.
Sulmet vijnë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi të hënën për mundësinë e një sulmi të madh rus dhe u bëri thirrje qytetarëve t’u kushtojnë vëmendje të veçantë sinjaleve të alarmit.
“Paralajmërimet e inteligjencës për sulme ruse mbeten në fuqi. Një sulm masiv është i mundur, ata janë përgatitur për të,” tha Zelensky në mesazhin e tij të përnatshëm me video.
Javën e kaluar, Rusia deklaroi se do të godiste qendrat ushtarake dhe të vendimmarrjes në Kiev, duke u bërë thirrje të huajve të largohen nga qyteti. Moska pretendon se kjo është përgjigje ndaj një sulmi ukrainas ndaj një konvikti në afërsi të Starobilsk.
Nga ana tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se kishte kryer një sulm pranë Starobilskut gjatë natës së 21–22 majit, por këmbënguli se objektivi ishte një njësi ushtarake ruse.
Kievi i cilësoi kërcënimet ruse si “shantazh të paturpshëm” dhe u bëri thirrje aleatëve të shtojnë presionin ndaj Moskës.
