Një 33-vjeçar shqiptar, Klevis Tite, është një nga dy personat që mbetën të plagosur rëndë në sulmin me thikë në Lavrio të Athinës, ku një 32-vjeçar rumun dyshohet se sulmoi ish-partneren e tij dhe partnerin e saj aktual. Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës në zonën Kavodokanos, ndërsa shqiptari ndodhet i shtruar në spital.
Sipas mediave greke, 33-vjeçari u plagos në zonën e klavikulës, brinjëve dhe organeve gjenitale. Ai u transportua në spitalin Asklipieion në Voula, ku vijon të marrë trajtim. Edhe ish-partnerja 32-vjeçare e autorit, e cila u plagos në shpinë, mushkëri dhe gjymtyrët e sipërme, u dërgua fillimisht në të njëjtin spital, por më pas u transferua në Evangelismos për shkak të gjendjes më të rëndë.
Në momentin e sulmit, në banesë ndodheshin edhe dy fëmijët e mitur të gruas dhe autorit, përkatësisht 2 vjeç e gjysmë dhe 1 vjeç e gjysmë. Sipas raportimeve, fëmijët u zgjuan nga përleshja dhe, të frikësuar dhe të tronditur, dolën nga banesa pas ngjarjes.
32-vjeçari rumun u dorëzua vetë në polici pas sulmit dhe u arrestua nën akuzën e tentativës së vrasjes. Sipas autoriteteve greke, ai kishte qenë më parë në shënjestër të pesë kallëzimeve të bëra nga ish-partnerja që prej nëntorit 2025 për raste të lidhura me dhunën në familje, kërcënimet dhe shkeljen e të dhënave personale. Gruas i ishte vendosur edhe “panic button”.
Gjithashtu, më 3 shtator 2026, rreth një muaj para sulmit, 32-vjeçari ishte arrestuar për kërcënim në kuadër të dhunës në familje dhe shkelje të legjislacionit për armët. Sipas policisë, gjatë kontrollit atij iu gjetën një mjet prerës 22 centimetra i gjatë dhe një shufër. Hetimet për rrethanat e plota të sulmit vijojnë./vizionplus.tv
