Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar dhe ka sekuestruar 136 kilogramë marihuanë në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të Doganajt në Kaçanik.
Përmes një postimi, Sveçla ka bërë të ditur se gjatë aksionit policor janë sekuestruar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.
Ai ka treguar se gjatë operacionit, njëra nga veturat e dyshuara, në përpjekje për t’i ikur Policisë, ka shkaktuar aksidente trafiku, ndërsa zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit për ta ndaluar.
Një detaj tjetër që Sveçla e ka bërë të ditur është dyshimi për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale.
Për këtë rast është angazhuar Inspektorati Policor i Kosovës, i cili do të hetojë dhe sqarojë rrethanat.
“Besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës do ta ruajmë dhe forcojmë përmes angazhimit të vazhdueshëm duke pastruar nga radhët e saj çdo individ të lidhur me krimin”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka theksuar se lufta kundër narkotikëve do të vazhdojë pa kompromis dhe se askush, përfshirë zyrtarët publikë, nuk do të tolerohet të shkelë ligjin.
