Radomir Saiçiq, kandidati i propozuar nga Lista Studentore për president të Serbisë, ka shprehur qëndrime kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si “territor të pushtuar përkohësisht”.
Në deklaratat e tij publike në emisionin “Oko” të televizionit publik serb RTS, Saiçiq ka theksuar se një nga prioritetet kryesore të tij është ruajtja e asaj që ai e quan integritet territorial i Serbisë, si dhe përmirësimi i kushteve të jetesës për komunitetin serb.
Duke folur për Kosovën, ai i është referuar Kushtetutës së Serbisë, sipas së cilës Kosova dhe Metohia konsiderohen pjesë e territorit të saj.
“Për mua, Kosova dhe Metohia janë pjesë e pandashme e territorit tonë, sipas Kushtetutës. Ky është fakt dhe kështu do të mbetet. E konsideroj territor të pushtuar përkohësisht”, kishte deklaruar Saiçiq.
Përveç qëndrimeve ndaj Kosovës, kandidati për president ka folur edhe për raportet e Serbisë me Rusinë, duke vlerësuar se Moska mbron integritetin territorial të Serbisë më shumë sesa vetë autoritetet në Beograd.
Ndërkaq, sa i përket orientimit të Serbisë drejt Bashkimit Evropian, Saiçiq është shprehur në favor të marrëdhënieve me bllokun evropian dhe afrimit me vlerat e tij.
Ai ka thënë se vendi duhet të bëjë hapa konkretë drejt anëtarësimit në BE, duke shprehur bindjen se ky proces mund të avancojë me një dinamikë të përshtatshme.
I pyetur për politikën e ardhshme të Serbisë ndaj komuniteteve serbe që jetojnë në shtetet fqinje, Saiçiq ka deklaruar se serbët përbëjnë një komb, por se duhet të respektohen edhe organizimet shtetërore të vendeve të tjera.
“Detyra e Qeverisë së re duhet të jetë bashkimi i popullit serb dhe jo krijimi i ndarjeve të rreme e të panevojshme, siç ka bërë Qeveria e mëparshme në Mal të Zi, në Republikën Sërpska dhe gjetkë”, ka thënë ai.
Saiçiq është profesor i kimisë dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë.
