Lajme

Sveçla: Kosova ndër pesë vendet e para në Evropë për rend dhe ligj, e 14-ta në botë

Kosova renditet ndër pesë vendet e para në Evropë dhe në vendin e 14-të në nivel global në Indeksin e Ligjit dhe Rendit për vitin 2025, të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar Gallup.

Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka njoftuar se Kosova ka marrë gjithsej 90 pikë në perceptimin e sigurisë dhe besimit në rendin dhe ligjin.

Sipas tij, me këtë rezultat, Kosova ka tejkaluar edhe mesataren botërore, duke shënuar një tjetër vlerësim pozitiv në nivel ndërkombëtar.

Sveçla e ka cilësuar këtë rezultat si dëshmi të punës profesionale dhe të koordinuar të institucioneve të sigurisë, si dhe të angazhimit të vazhdueshëm të zyrtarëve në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Ai ka theksuar se garantimi i sigurisë së qytetarëve mbetet prioritet, duke shtuar se Kosova përmes këtij angazhimi kontribuon edhe në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë.

Ministri ka falënderuar zyrtarët e institucioneve të sigurisë për punën e tyre dhe ka riafirmuar angazhimin për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale.

Sipas Gallup-it, indeksi mat perceptimin e qytetarëve për sigurinë gjatë ecjes vetëm natën, besimin në policinë lokale dhe përvojat me vjedhjet dhe sulmet fizike apo grabitjet gjatë vitit të fundit. Mesatarja globale për vitin 2025 ishte 80 pikë.

Të Ngjashme