Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të katër të dyshuarve të tjerë në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar që hetimet të vazhdojnë në të gjitha dimensionet deri në zbardhjen e plotë të rastit.
Përmes një postimi, Sveçla ka thënë se duhet të vihen para drejtësisë jo vetëm kryesit e krimit, por edhe të gjithë ata që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e tij.
Ai ka theksuar se vrasja e grave nuk mund të ketë asnjë justifikim dhe se autorët duhet të marrin dënimin maksimal të paraparë me ligj.
Duke iu referuar edhe dënimit me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit për vrasjen e Liridonës, Sveçla ka kërkuar hetimin e secilit që ka pasur dijeni për rrezikun me të cilin përballej Arlinda, por nuk ka vepruar për ta mbrojtur.
“Asnjë përgjegjësi nuk duhet të mbetet pa u hetuar dhe asnjë shkelje pa u trajtuar sipas ligjit”, ka shkruar Sveçla, transmeton Bota sot.
