Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale është vula e turpit të drejtësisë ndërkombëtare, tha nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla.
Ai në protestën e sotme në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, tha se Gjykata Speciale po e njollos UÇK-në, raporton KosovaPress.
Syla: Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, vula e turpit të drejtësisë ndërkombëtare
“Dënimi i katër krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, e cila është e gjithkujt përpos e Kosovës, është vula e turpit të drejtësisë ndërkombëtare. Dënimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Sali Mustafës, Pjetër Shalës me 125 vjet, e çon numrin që është dënuar lufta jonë në 627 vjet”, tha ai.
Syla tha se Qeveria e Kosovës duhet të miratojë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Syla kërkon nga Qeveria miratimin e ndryshimeve ligjore për Gjykatën Speciale
“Për gjashtë vjet, ju që udhëhiqni me këtë shtet, nuk e keni kthyer kokën nga ne. Ne nuk kemi dalë në rrugë për kërkesat tona, pasi e kemi pasur vëmendjen tonë te Haga. Vetëm një herë kemi dalë kur ajo gruaja i ka thënë ‘zdravo brate’, apo na vjen votat me i largu veteranët prej pagës minimale. Sot e keni mundësinë ta lani veten. Procedo në Kuvend plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe votoni atë”, tha ai.
