Lajme

Tahiraj godet rëndë LDK-në: Kush e sulmoi partinë, sot është në krye të listës

Deputetja e Hykmete Bajrami ka reaguar pasi është renditur e 12-ta në listën zgjedhore të Lidhja Demokratike e Kosovës për zgjedhjet e ardhshme.

“Nga zyra e LDK-së më është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale”, ka shkruar Bajrami.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe veprimtari i njohur i LDK-së, Saim Tahiraj.

Ai ka kritikuar mënyrën e përpilimit të listës së kandidatëve, duke thënë se edhe kësaj radhe nuk është respektuar meritokracia brenda partisë.

Në reagimin e tij publik, Tahiraj u shpreh se janë favorizuar persona që më herët kanë sulmuar dhe braktisur LDK-në, ndërsa, sipas tij, janë lënë anash ata që kanë qëndruar besnikë në periudhat më të vështira të partisë.

Postimi i plotë:

Renditja në listën e LDK-së dëshmoi se edhe kësaj radhe LDK dështoi ta respektojë meritokracinë dhe besnikërinë e atyre që nuk u luhatën asnjëherë në të gjitha situatat e vështira nëpër të cilat kaloi LDK-ja. Edhe kësaj radhe u respektua standardi i vendosur më herët: ik nga LDK-ja, fyeje, shaje, kritikoje, thuaj të gjitha të zezat për të, shëtit nëpër parti tjera rivale të LDK-së — dy, tri apo katër parti. Pra, nëse i praktikon këto veprime, e ke plotësuar standardin e nivelit më të lartë për të qenë në dhjetëshen e parë të listës së LDK-së.

Të Ngjashme