Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri nuk sheh reflektim të situatës nga Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Pas seancës së Kuvendit të Kosovës, Tahiri tha se sheh një vazhdimësi të një situate e cila po përsëritet tash e sa kohë.
Teksa kanë mbetur edhe tetë ditë kohë deri në zgjedhjen e presidentit të ri, Tahiri tha se vendi ka nevojë për seriozitet, e jo, siç tha ai, injorim të situatës reale.
Tahiri: Nuk shoh reflektim të situatës, shoh vazhdimësi të një situate e cila po na përsëritet
“Po e shoh që ka një injorimi të një situate shumë reale. Me 6 tetor, ne ose shkojmë në zgjedhje ose vazhdojmë me rrugëtimin shtetëror edhe me këtë zotim por edhe zotime të tjera. A kuptoni që është totalisht e pakuptueshme, që ne mos të flasim për problemet reale që janë në Kosovë. Na ka hy debati kush është më patriot e kush spiun, kush është i majtë e kush i djathtë, kush po bën më shumë, e nganjëherë kush po qan më shumë, kush po qet lot të krokodilit. Kosova ka nevojë për seriozitet, për reflektim për shkak se kanë mbetur edhe tetë ditë deri te një vendim. Nuk shoh proces serioz, nuk shoh reflektim të situatës, shoh vazhdimësi të një situate e cila po na përsëritet”, tha Tahiri.
Tahiri komentoi edhe deklaratën për katërshen e UÇK-së, të miratuar në Kuvend, duke e cilësuar të vonshme, por tejet të rëndësishme në shtyrjen përpara të një agjende shtetërore, e cila sipas tij, është e rëndësishme për shtetin por edhe katërshen në Hagë.
Tahiri: Një seancë bukur e rëndësishme, e cila është shumë e vonshme
“Një seancë bukur e rëndësishme, e cila është shumë e vonshme. Kuvendi i Kosovës, deputetët të cilët e votuan një deklarim politik shtetëror të kuvendit është më e pakta që do të mund të bënim, kjo do të duhej të bëhej më herët, për shkak se zotimi i individëve në parti ka qenë që nga dita e parë. Por, megjithatë është mirë zotim shtetëror i përfaqësuesve të popullit. Siç e dini, Aleanca është subjekti politik që ka kërkuar të ketë deklarim dhe jam shumë i lumtur që kemi dhënë kontributin tonë, por njëkohësisht edhe në shtyrjen përpara të një agjende shtetërore, që është bukur e rëndësishme për shtetin por edhe katër çlirimtarët tanë”, tha Tahiri.
