Hetimet e zhvilluara të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj grupeve kriminale kanë nxjerrë në dritë përgjime që, sipas dokumenteve hetimore, implikojnë edhe emrin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në grupet kriminale. Gazetari Basir Çollaku ka zbuluar detaje nga dosja se Suel Çela i ka kërkuar Ballës që të arrestohen emra të caktuar, për t’i dhënë në këmbim PS-së 9 deputetë në qarkun e Elbasanit. Po ashtu sipas gazetarit Çollaku kjo kërkesë ka marrë edhe miratimin e kryeministrit Edi Rama.
“Unë kam lexuar një dokument zyrtar, që është në dosje. Flet Suel Çela me gjyqtaren dhe i thotë: ‘I kemi thënë Taulantit, na arresto një, dy, tre emra dhe ne të sigurojmë 9 deputetë për PS-në në Elbasan. Jemi kamikaz për ju’. Ai tha ‘mi shkruaj në një copë letër, t’ia çoj Ramës, ia çoi, mori konfirmimin’…Është tekst i shkruar, është në dosje, është në gjykatë, është me dokument. Kjo është me emra, ja çuam, u vendos, por u tha ‘mbajeni fjalën ju, se ne duam 9 deputetë’. Cilin prej tyre thirri SPAK?! Kjo ka 5 vjet. Këtu çalon gjëja, por ka edhe shumë, s’do lexoj dosjen këtu. Ka plot dokumente të tilla”, tha ndër të tjera Çollaku.
Përgjimet
Akuzat se Balla ka rënë në përgjime me bandat i ka artikuluar dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili prej disa kohësh nxjerr pasazhe që sipas tij ndodhen në dosjen që po heton SPAK, por edhe ndërkombëtarët. Deri më tani janë zbardhur dhe përgjimet që kanë dalë nga aplikacioni i koduar SKY, që është përdorur nga grupet kriminale për të komunikuar në mënyrë të fshehtë. Pikërisht nga këto përgjime, janë zbardhur biseda të dyshimta që e lidhin Ballën me eksponentë të krimit të organizuar, ku diskutohet për ndërhyrje në drejtësi për të mbrojtur interesa të caktuara. “Dosja 26/1 është dosja e ferrit dhe e tmerrit Balla-Rama. Në këtë mes ka edhe një faktor ndërkombëtar shumë të rëndësishëm.
Televizioni kombëtar belg i nxori emrin atij. Nuk ia nxori Altin Dumani emrin, por ia nxori televizioni kombëtar i Blegjikës”, tha Berisha. Sipas kreut të PD, grupi i Suel Çelës i ka kërkuar arrestimin e Çapjave dhe se kjo gjë ka ndodhur vërtet, pasi u arrestua Ardjan Çapja dhe Balla doli “kampion” me vota në atë kohë. “Tani me datën 10.2.2020, target është njëri nga banditët e bandës së Elbasanit, informon me PIN, me telefonin e tij AM5P80, se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord që t’i kërkonin Taos.
Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Taos i kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre. Tao iu përgjigj kësaj: A garantoni që të gjithë ata njerëz do votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që doni në burg? Pra, do na i siguroni ju votat nëse ne me listë i burgosim ata që kërkoni ju? Përgjigja ishte: Po, ne e garantojmë këtë. Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit. Tani, komenti tjetër. Tao është fiks Taulant Balla, është një kriminel që është vetëm njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vet.
Përgjigja është se ne garantojmë votat në qoftë se ti arreston listën që të kemi dhënë për të arrestuar. Sipas këtij premtimi u arrestuan Çapjat me kërkesë të Çelëve. Kjo është e vërteta. Ata shkuan në burg në mars të vitit 2021, para zgjedhjeve, në mënyrë që Tao të dilte kampion i votave në Elbasan”, tha Berisha.
Pazaret
Nga deklarata e mbajtur jashtë SPAK-ut, Sali Berisha ka denoncuar një tjetër bisedë nga aplikacionet e enkriptuara “Sky Ecc” dhe “EncroChat”, ku sipas tij, dy persona gjatë bisedës deklarojnë se “Tao” ka marrë përsipër për llogari të bandës që të pastrojë komisariatin e Elbasanit dhe të dëbojë të gjithë të lidhur me Boerët. Lideri demokrat shtoi më tej se “boerët” janë ose policë të ndershëm që luftojnë krimin ose janë mbështetës të bandës rivale. Sipas Berishës, Taulant Balla ishte për t’u arrestuar, por u mbrojt nga Edi Rama.
“Ka kriminelë sot që fshihen në bodrume, ka të tjerë në vila luksoze, por më kriminelë se gjithë të tjerët janë ata të cilët fshehin krimet e tyre në zyra ministrash. Dhe i tillë është Taulant Balla. Tani kam sjellë këtu për ju, për gazetarët, një copëz, një dëshmi tjetër të krimeve të tij të shëmtuara, Më datën 13.04.2020, Targeti, e kuptoni vetë që ky është kodi, informoi pinin 1FA806 se Tao ka thënë se do pastrojë plotësisht komisariatin dhe do të dëbojë të gjithë të lidhur me Boerët. E kuptoni ju, pra Tao pasi mori përsipër arrestimin me prokurorë dhe gjykatës, pasi me Alfred Shehër dhe Pajtime Fatahu, Enkelejda Fetahu dhe të tjerë, tani Tao merr përsipër të pastrojë komisariatin me kërkesë të bandës.
Tani Boerët janë ose policë të ndershëm që luftojnë krimin ose janë mbështetës të bandës tjetër, njëra nga këto. Pra, informon pinin Tao se do pastrojë plotësisht komisariatin dhe do të dëbojë të gjithë të lidhurit me Boerët. Boerët, po të nisemi me veprimet e tyre, i bie të jenë banda rivale ose mund të jenë policë të ndershëm që nuk i nënshtrohen bashkëpunimin me bandat dhe bëjnë detyrat”, tha Berisha.
Akuzat
Po ashtu kreu i PD, ka zbardhur këto kohë dhe detaje nga dosja “Toyota Yaris”, duke implikuar Ballën. Kreu i PD-së ka zbuluar bisedat, që sipas tij, janë bërë mes ish-punonjëses së BKH-së, Erjona Daupaj, avokatit Radovan Çela dhe Astrit Vladit. Sipas dokumentit që Berisha lexoi publikisht disa kohë më parë, Daupaj shprehej “Do ta çoj për sekuestro, nuk do i bëj nder Ballës. Po e çoj për sekuestro komplikohet puna se do ia marrin”. Berisha po ashtu deklaroi se Astrit Vladi dhe ministri Taulant Balla ishin njëlloj dhe se paratë ishin të përbashkëta.
“Radovan Çela, avokati: Këto ditë, po më pyet, do jetë prapë Balla apo do jesh ti? Vladi (e merrni me mend ju tani, Vladi dhe Balla ishin njëlloj, ishin para të përbashkëta): OK se flas unë, por të na tregojë mënyrën se si do e mbyllë”, lexoi Berisha. “Do e pësojë keq, i thuaj. Do i bjerë kokës me grushte. Kishte të drejtë bundra, nuk duhej toleruar që në fillim. Aty ku do të shkojë ai, do ia djegin letrat me benzinë, se bundra luan edhe me Taon”, është shprehur ish-punonjësja e BKH-së, sipas dokumentit që Berisha lexoi.
Kujtojmë se Dumani në një dalje për mediat konfirmoi se çështja e njohur si “Toyota Yaris” është ende duke u hetuar. Ai rikujtoi një vendim për ndalimin e publikimeve në lidhje me dosjen në fjalë. Gjithashtu, sipas Berishës, Taulant Balla është i regjistruar në komunikime të shpeshta instensive me bos kryesor të organizatave kriminale në Shqipëri dhe jashtë vend. “Një rast tjetër që e implikon atë direkt është ndërhyrja e tij direkte për lirimin e personave që i vunë eksplozivin Lul Kullës.
Taulant Balla ka marrë në telefon anëtarin e KLP-së, Vatë Staka dhe i ka kërkuar të ndërhyjë në Shkodër për lirimin e kriminelëve që i vunë eksplozivin Lulzim Kullës. Dhe Vatë Staka ka zbatuar urdhrin, dhe kriminelët janë lënë të lirë. Paratë e klanit të rrezikshëm Toyota Yaris kanë pasur si destinacion edhe pronarin e kullës pas sahatit me mbiemër Abdia”, tha ai ndër të tjera.
