Aktuale

“Të kthehen emigrantët”/ Greqia ashpërson ligjin për emigracionin, ‘plas’ debati në parlament

Një debat i ashpër politik është zhvilluar dje në parlamentin grek pasi qeveria e kryeministrit Mitsotakis po ashpërson ndjeshëm politikën e saj ndaj emigracionit të paligjshëm, duke miratuar një ligj të ri që përshpejton kthimin e emigrantëve .

Ligji i ri parashikon përshpejtimin e procedurave të dëbimit për azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve janë refuzuar, zgjatjen e periudhës së ndalimit administrativ dhe kufizimin e mundësive për legalizimin e qëndrimit të personave pa dokumente.

Në të njëjtën kohë, siç theksojnë edhe mediat greke qeveria Mitsotakis synon të krijojë qendra riatdhesimi jashtë BE, në bashkëpunim me vende të treta, ku do të transferohen emigrantët në pritje të kthimit në vendet e origjinës.

Kjo politikë – thekson Athina- është pjesë e strategjisë së re të Bashkimit Evropian për forcimin e sistemit të kthimeve. Sipas ministrit grek të Emigracionit, Thanos Plevris, Athina bashkëpunon me Holandën, Danimarkën, Gjermaninë dhe Austrinë për ngritjen e qendrave të përbashkëta të kthimit dhe tranzitit, të cilat synohet të jenë funksionale në vitin 2027.

Qeveria greke ka nisur gjithashtu kontakte me dy vende afrikane për këtë projekt, pa zbuluar identitetin e tyre.

Debati në Parlament mori një dimension të ri pas ndërhyrjes së ish-ministrit të Emigracionit, Makis Voridhis, një nga figurat më të njohura të krahut konservator të Demokracisë së Re, i cili ka qenë hartuesi i pjesës më të madhe të këtij ligji.

Gjatë diskutimit, Voridhis shtroi pyetjen retorike: “A do ta fundosim barkën apo nuk do ta fundosim?” -duke sqaruar më pas se nuk po propozonte një veprim të tillë, por se donte të tregonte se ekziston një kufi që nuk mund të kalohet dhe se shteti duhet të veprojë gjithmonë brenda kuadrit të ligjit ndërkombëtar.

Deklarata e tij shkaktoi reagime të forta nga partitë opozitare.

Sipas analistëve , ashpërsimi i qëndrimit të qeverisë lidhet edhe me presionin që ajo po ndien nga partitë ultra të djathta , të cilat kërkojnë masa edhe më të forta për kontrollin e kufijve dhe emigracionit disa muaj para zgjedhjeve parlamentare në vend.

Të Ngjashme