Lajme

“Të veprojnë në bashkërendim” – Schuebel u bën thirrje partive për zgjedhjen e Presidentit

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka reaguar gjatë vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë, duke e vënë theksin te zhvillimet politike dhe stabiliteti institucional në vend.

Në një deklaratë të tij, Schuebel u ka bërë thirrje partive politike që të bashkërendohen në procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe të krijojnë kushtet për funksionim të qëndrueshëm institucional.

Sipas tij, një bashkëpunim i tillë është i rëndësishëm edhe për mundësinë që Kosova të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron Bashkimi Evropian, transmeton “Bota sot”.

“Vizita e saj vjen në një kohë kur partitë politike të Kosovës duhet të veprojnë në bashkërendim për ta zgjedhur Presidentin, si dhe të sigurojnë stabilitet institucional dhe t’i mundësojnë Kosovës që t’i shfrytëzojë plotësisht mundësitë që BE-ja ka për të ofruar”, ka deklaruar Schuebel.

Duke folur për raportet mes Kosovës dhe BE-së, ambasadori evropian ka vënë në pah mbështetjen e vazhdueshme të unionit për vendin.

“Për më shumë se 25 vite, BE-ja ka qenë partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës, duke mbështetur përparimin e saj në rrugën e integrimit në BE”, tha Schuebel.

Të Ngjashme