Lajme

Tërheqja nga negociatat me VV-në, a e forcon apo e dobëson LDK-në?

Të enjten është mbajtur mbledhja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën është vendosur tërheqja e LDK-së nga negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje.

Pas përfundimit të saj, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se partia ka vendosur të heqë dorë nga çdo kërkesë për poste, përfshirë edhe atë për presidentin, me synimin për të zhbllokuar situatën politike.

Abdixhiku ka thënë se oferta prej vetëm tri ministrish dhe një posti të zëvendëskryeministrit ishte disproporcionale për LDK-në, ndaj kjo parti e refuzoi

“LDK-së i ishin ofruar vetëm tri ministri dhe zëvendëskryeministri. Për një grup parlamentar kjo përgjigje ishte disproporcionale. Nuk mund ta pranonim një ofertë të tillë, prandaj refuzuam. Refuzimi fatkeqësisht nxiti edhe betejën publike nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.

“Ne nuk do të lejojmë që fati i Republikës të lidhet me kërkesa tona. Prandaj, për të çliruar procesin dhe për të hapur rrugë zgjidhjes në interes shtetërorë, LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojmë pa asnjë përfitim politik. LDK heq dorë për çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri, le t’i mbajë të gjitha Lëvizja Vetëvendosje, heqim dorë për kryetar të Kuvendit. Heqim dorë edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e presidentit. Meqë LVV po vlerëson se nuk ka nevojë për LDK si partnere, atëherë nuk do ta ketë LDK-në. Në rrethana të tilla ne do qëndrojmë opozitë. Pavarësisht këtij qëndrimi nuk do ta shndërroj në bllokadë, jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjen e një presidenti. Për këtë kontribut, LDK nuk kërkon asnjë pozitë. Le ta zgjedhim të gjithë bashkë presidentin që mbron Republikën dhe Kushtetutën”, ka thënë  Abdixhiku në konferencë për media.

Por, shtrohet pyetja: a do ta forcojë apo do ta dobësojë politikisht LDK-në kjo tërheqje?

Lidhur me këtë, analistët politikë vlerësojnë se tërheqja erdhi si shprehje e pakënaqësisë ndaj ofertës së LVV-së, por njëkohësisht tregon se LDK-ja nuk synon të bllokojë formimin e institucioneve dhe po kërkon të shmangë zgjedhjet e reja.

Analistët konsiderojnë se ky vendim dëshmon seriozitet dhe interes shtetëror, duke vlerësuar se LDK-ja ka bërë një hap përtej interesit partiak.

Sipas tyre, vendimi mund të ndikojë edhe në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy partive, nëse arrihet një marrëveshje që merr parasysh interesin e shtetit dhe jo vetëm atë partiak.

Mehmeti: Duhet menduar për shtetin, jo vetëm për partinë

Analisti politik, Gani Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot” e ka cilësuar tërheqjen e LDK-së nga qeveria si shprehje pakënaqësie ndaj ofertës së LVV-së, duke e vlerësuar se partia ka bërë një hap të matur.

Image
Gani Mehmeti

“Vendimi për tërheqjen e LDK nga pjesëmarrja në qeveri, është një shprehje revolte, pakënaqësie e mospajtimi me ofertën nga LVV-ja me një zëvendëskryeministër dhe vetëm me tri ministri.

Thënë të drejtën, në këso lloje rastesh, nuk shkohet me matematikën e përqindjes së votave, por me marrëveshje për formimin e institucioneve shtetërore, dhe doemos, kur nuk bëhet ndryshe, duhet dhënë ose marrë më pak apo më shumë se që mertion njëra dhe tjetra parti.

Nganjëherë kjo shkon edhe sipas “oreksit” të njërës parti apo tjetrës. Këtu duhet të vijë në pyetje edhe “solidariteti” për të dhënë më shumë ai që ndan, pra LVV-ja. Kjo duhet të bëhet edhe  për shkakun se nganjëherë të vegjlit janë të vegjël, por janë më të uritur e duhet dhënë aq sa mund ta shuajnë “urinë”.

Kësaj radhe, me sa po kuptohet, deri sa LDK heq dorë nga pjesëmarrja në qeveri, por me një kandidat për kryetar konsensual, gjë që Kurti e ka thënë vezhdimisht, LDK-ja do e votojë, dhe do të formohen institucionet, më duket një hap i matur i LDK-së, e cila, duke qenë e pakënaqur me aq sa i është ofruar, heq dorë, por nuk do të jetë kundër votimit të një kandidati jopartiak për kryetar të Kosovë”, ka thënë ai. 

Sipas tij, vendimi i LDK-së mund të shihet edhe si një dëshmi se kjo parti po synon të luajë rol institucional dhe të shmangë zgjedhjet e reja.

“Kjo, këso fare, sikur e ngjallë LDK-në dhe vërtet tregohet se është parti institucionale, prë çka, sikur të ishte treguar këso fare edhe në zgjedhjet e mëparme, nuk do të ishin përsëritur zgjedhjet tri here radhazi deri tabni. Sipas meje, LDK po tregohet se është kundër zgjedhjeve të reja e të lodhshme e të parakohshme, është një zemërgjërësi e saj.

Tani, sipas meje, bazuar në fjalën e urtë se “E mira e ka të mirën”, edhe LVV-ja do duhej ta përfshinte gjithsesi në bashkëqeverisja, duke i dhënë më shumë se deri tani nga ministritë, apo edhe kryetari i Kosovës të mbetet konsensual, por sipas propozimit të LDK.

Besoj, se kësisoji, do të thellohej më shumë bashkëpunimi mes këtyre dy partive dhe do të vazhdonte deri në përfundimin e madatit të rregullt të zgjedhjeve. Kjo do të shkonte në favor të LVV, sepse gjiothçka që do të ndodhte, nuk do i takonte vetëm njërës parti, por të dyjave. Sa më shumë koka, aq më shumë ide të mira. Mirëpo, kjo do duhej të bëhej me sinqeritetin më të madh nga të dyja partitë, siç është më së miri për shtet, jo të mendohet vetëm për partinë secili për vete”, ka shtuar ai.

Në fund, Mehmeti ka bërë thirrje që partitë politike të vendosin interesin e shtetit mbi atë partiak, duke e krahasuar Kosovën me një shtëpi të përbashkët.

“Kosova është shtëpia jonë e përbashkët, ndërsa partitë mund të jenë dhomat e secilës parti. E, të jetosh në një shtëpi dhe të mos mendosh për të, do mbeten të gjithë pa shtëpi, prandaj duhet vënë gishtin kokës e të mendohet për shtet.

LDK ka shprehur moskënaqësinë me kaq poste, por ka treguar se nuk do të bllokojë formimin e institucioneve.

Tani, me sa shihet, topi është në anën e LVV dhe mbetet të shihet se si do të veprojë për formimin e tyre.

Urojmë që sa më pare të gjendet gjuha e përbashkët dhe të formohen të gjitha institucionet e Kosovës e ta shpëtojnë Kosovën edhe politikisht, edhe ekonomikisht, edhe financiarisht, edhe moralisht, sepse mjaft jemi turpëruar deri tani”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

Mehmeti: Ky është vendimi më i duhur që nga vdekja e Rugovës

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot” ka komentuar vendimin e LDK-së, duke e vlerësuar këtë si një vendim në interes të shtetit.

Image
Faton Mehmeti

“Ky është vendimi më i duhur që LDK-ja ka marrë që nga vdekja e presidentit Rugova, duke dëshmuar seriozitet dhe interes shtetëror. Në këtë kuptim, LDK-ja dha kontribut të madh në tejkalimin e ngërçit për presidentin e vendit, me çka edhe i bie barra e përgjegjësisë z. Kurtit”, ka theksuar ai.

Sipas Mehmetit, pas këtij vendimi, përgjegjësia për tejkalimin e situatës politike i mbetet Kurtit.

“Besoj se LDK-ja bëri një veprim përtej interesit personal dhe kjo sigurisht do t’i shpërblehet nga elektorati në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë ai.

Të Ngjashme