Lajme

“Tërmet” në kupolën e sigurisë: Ngjarja e rëndë me shefen e SHISH-it dhe pasojat që mund të tronditin Shqipërinë e Kosovën

Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është ndaluar të martën në pikën kufitare të Vërmicës, pasi ishte larguar nga Shqipëria.

Hyseni ishte ndaluar në kuadër të masës së sigurisë të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila më 21 shtator vendosi ndaj saj “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga ushtrimi i detyrës ose shërbimit publik”. Masa nuk ishte ekzekutuar menjëherë, pasi ajo ndodhej jashtë Shqipërisë. Më pas, Hyseni u ndalua në pikën kufitare Vërmicë-Morinë dhe iu dorëzua autoriteteve shqiptare.

Sipas raportimeve, gjatë ditës Hyseni kishte qëndruar në Kosovë, ndërsa në mbrëmje u paraqit në pikën kufitare të Vërmicës, ku u ndalua nga autoritetet shqiptare.

Më 24 shtator, Hyseni pritet të dalë para gjykatës, ku do të zhvillohet procedura lidhur me masën e sigurisë të caktuar ndaj saj.

Ngjarje e rëndë dhe nevoja për kujdes

Analisti dhe publicisti, Adriatik Riza Dosti, arrestimin e Hysenit e konsideron një nga ngjarjet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar.

Sipas tij, pasojat mund të jenë të mëdha dhe ato duhet të vlerësohen seriozisht.

Image
Analisti dhe publicisti, Adriatik Riza Dosti

“Arrestimi i nr. 1 të shërbimit informativ dhe sekret kombëtar të Shqipërisë, për mua, është një nga ngjarjet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar të të gjitha kohërave. Druaj se pasojat do të jenë të mëdha. E pafalshme për strukturat në fjalë dhe ngarkon me përgjegjësi të rëndë, me këtë rast, edhe kryeministrin Rama e presidentin Begaj. Një vendi anëtar të NATO-s i arrestohet shefja e shërbimit kombëtar… Gati e pabesueshme nga çdo këndvështrim.

Pasojat e dëmeve që Hyseni mund të ketë shkaktuar, sidomos lidhur me informacionet e rrjedhura për sigurinë kombëtare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, duhen vlerësuar shumë seriozisht. Ato duhet të shqyrtohen me kujdes edhe në raport me aleatët tanë dhe shërbimet sekrete të vendeve fqinje. Kam parasysh këtu veçmas marrëdhëniet Shqipëri–Greqi, Shqipëri–Serbi, si dhe raportet Serbi–Kosovë”, deklaron Dosti për “Bota sot”.

Ai e konsideron shqetësues faktin që presidenti Begaj nuk ka thirrë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë, gjersa konsideron se Rama është anti shqiptar e antikosovar.

“Gjithçka varet nga lloji i dokumenteve dhe informacionit të rrjedhur për të cilat flet SPAK-u. Fakti që presidenti Begaj ende nuk e ka thirrur në një mbledhje urgjente Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë është tepër shqetësues dhe rëndon goxha mbi pozitat e qeverisë dhe të shtetit, përkatësisht të Ramës dhe Begajt.

Mendoj se jo vetëm në këtë rast, por gjatë gjithë kohës që në krye të Shqipërisë ka qenë Rama, të cilin e konsideroj antishqiptar e antikosovar, me fakte dhe jo me fjalë, si dhe mik për kokë i Serbisë dhe i Vuçiqit, Kosova është dashur t’i shqyrtojë me vëmendje dhe kujdes të veçantë të gjitha llojet e marrëdhënieve me Shqipërinë.

Fakti i fundit, që V. Hyseni, e shkarkuar dhe e akuzuar për arsye madhore nga Kosova, ndërsa nga Kurti dhe Osmani, është emëruar nga Rama në krye të një institucioni tejet delikat, nuk ka nevojë për komente të tepërta”, shprehet analisti.

SPAK e ka identifikuar Hysenin si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal, të lidhura me përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete.

Hetimi është pjesë e procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, i cili lidhet edhe me dosjen e abuzimeve të dyshuara në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Posaçme ka caktuar masa sigurie edhe ndaj shtetasve të tjerë. Për një përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore dhe një punonjës të një agroturizmi është vendosur “arrest në burg”, ndërsa janë autorizuar edhe kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera, përfshirë një kompleks vilash në Shkozet të Durrësit.

Hetimet për dosjen e AKSHI-t përfshijnë një numër të konsiderueshëm personash, mes tyre biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të arrestuar në kuadër të kësaj çështjeje, si dhe ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Tërmeti në kupolën e sigurisë, çfarë rrezikon Shqipëria dhe sa preket besimi me Kosovën?

Për ekspertin e sigurisë, Fatjon Softa, një rast i tillë duhet parë në disa nivele dhe nuk mund të reduktohet vetëm në përgjegjësinë e personit nën hetim.

Image
Fatjon Softa

“Kur një hetim penal prek drejtuesin e një institucioni të inteligjencës, nuk kemi të bëjmë thjesht me një çështje individuale. Përmasat e përgjegjësisë institucionale e bëjnë rastin të rëndësishëm edhe për sigurinë kombëtare dhe besimin publik. Duhet të bëjmë një dallim të qartë ndërmjet tri niveleve: përgjegjësisë penale të individit, përgjegjësisë institucionale dhe besimit strategjik te strukturat e sigurisë. Masat e sigurisë janë pjesë e procesit gjyqësor dhe nuk përbëjnë provë përfundimtare të fajësisë. Megjithatë, ato kërkojnë që institucionet të shqyrtojnë nëse mekanizmat e kontrollit, mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së informacionit kanë funksionuar. Një shtet serioz duhet të jetë në gjendje të hetojë një zyrtar të lartë pa e dëmtuar automatikisht besueshmërinë e të gjithë institucionit. Qëllimi duhet të jetë zbardhja e fakteve dhe forcimi i sistemit të sigurisë, jo krijimi i panikut institucional”, shprehet Softa.

Sipas tij, rreziku për sigurinë kombëtare, në rast se dyshimet për nxjerrje të informacionit sekret do të provohen, nuk mund të përcaktohet vetëm nga vepra penale për të cilën hetohet një person, por nga natyra dhe pasojat e informacionit të ekspozuar.

Rreziku nuk përcaktohet vetëm nga emërtimi i veprës penale, por nga natyra e informacionit të ekspozuar, personat që mund ta kenë marrë atë, periudha e aksesit dhe pasojat që mund të ketë shkaktuar.

Duhet të vlerësojmë katër elemente:

Informacioni i klasifikuar: Çfarë niveli sigurie kishte informacioni dhe sa kritike ishte për operacionet apo burimet e inteligjencës?

Zinxhiri i kontrollit: Si u administrua informacioni dhe a pati akses të paautorizuar?

Pasojat operacionale: A janë cenuar burime njerëzore, metoda pune apo operacione konkrete?

Besimi ndërkombëtar: A ka ndonjë ndikim të mundshëm në informacionin që Shqipëria shkëmben me partnerët?

Nuk mund të flasim për komprometim të përgjithshëm të sistemit pa prova. Por as nuk mund ta trajtojmë çështjen si një incident të zakonshëm administrativ, nëse faktet tregojnë se është cenuar informacioni strategjik.

Pyetja kryesore është: A kemi një shkelje të izoluar, një dobësi në mekanizmat e kontrollit apo një problem më të gjerë në arkitekturën e sigurisë së informacionit?”, thekson eksperti i sigurisë.

Rasti merr një dimension të veçantë edhe për Kosovën, duke pasur parasysh se Hyseni para emërimit në krye të SHISH-it në Shqipëri ka pasur një karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë së Kosovës. Softa thotë se kjo e bën të nevojshëm një vlerësim të kujdesshëm, por jo ngritjen e dyshimeve pa të dhëna konkrete.

“Fakti që një zyrtare ka pasur më parë përgjegjësi në strukturat e inteligjencës së Kosovës nuk do të thotë automatikisht se informacioni i administruar prej saj është komprometuar. Për këtë nevojiten të dhëna konkrete dhe një vlerësim i kompetencave institucionale. Duhet të shqyrtohen disa pyetje themelore: Në cilat periudha ka pasur akses në informacion të klasifikuar? Çfarë lloj informacioni ka administruar? A ekziston ndonjë lidhje faktike ndërmjet hetimit në Shqipëri dhe informacionit të marrë gjatë shërbimit në Kosovë? Nëse dalin prova për ekspozim të informacionit, atëherë institucionet kompetente duhet të bëjnë një vlerësim të posaçëm të rrezikut dhe të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e burimeve dhe të bashkëpunimit. Siguria kombëtare nuk mbrohet duke ngritur dyshime të përgjithshme, por duke identifikuar saktë informacionin, rrezikun dhe përgjegjësinë”, deklaron Softa.

Në këtë situatë, sipas tij, Kosova mund të shqyrtojë në mënyrë të targetuar mekanizmat e shkëmbimit të informacionit me Shqipërinë, pa e kthyer rastin në arsye për ndërprerjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Në një situatë të tillë, një rishikim i targetuar i sigurisë mund të jetë pjesë e përgjegjësisë institucionale. Por duhet të dallojmë rishikimin e masave të sigurisë nga ndërprerja e përgjithshme e bashkëpunimit. Shqipëria dhe Kosova kanë interesa të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, kërcënimeve hibride dhe mbrojtjen e hapësirës euroatlantike. Ky bashkëpunim nuk duhet të dëmtohet mbi bazën e supozimeve, por duhet të mbështetet në protokolle të qarta dhe verifikime të nevojshme. Institucionet kosovare mund të shqyrtojnë, sipas kompetencave të tyre, nëse ka nevojë për:

Kontroll të shkëmbimeve të informacionit që mund të jenë relevante.

Verifikim të procedurave të aksesit dhe ruajtjes së të dhënave.

Vlerësim të ekspozimit të mundshëm të burimeve ose informacioneve të ndjeshme.

Koordinim institucional me autoritetet shqiptare në përputhje me ligjin dhe detyrimet e konfidencialitetit.

garantuar se informacioni kalon nëpër kanale të besueshme dhe të kontrolluara”, shprehet ai.

Softa vlerëson se hetimi duhet të fokusohet jo vetëm te personi që mund të ketë kryer një shkelje të mundshme, por edhe te mënyra se si kanë funksionuar mekanizmat institucionalë.

“Hetimi duhet të shkojë përtej identifikimit të personit që mund të ketë kryer një shkelje. Duhet të shqyrtohet edhe mjedisi institucional në të cilin ajo shkelje dyshohet se ka ndodhur.

Këtu shtrohen disa pyetje: Kush kishte akses në informacionin e prekur? A kanë funksionuar kontrollet e brendshme dhe mekanizmat e mbikëqyrjes? A ka pasur shkelje të procedurave apo mangësi strukturore? A ka ekzistuar një zinxhir përgjegjësie që duhet të hetohet? A janë marrë masa për të parandaluar ekspozimin e mëtejshëm të informacionit? Një institucion i sigurisë nuk matet vetëm nga aftësia për të reaguar pas një incidenti, por edhe nga aftësia për ta parandaluar atë dhe për të korrigjuar dobësitë që zbulohen”, thotë eksperti.

Një tjetër çështje që ngrihet nga ky rast është ndikimi i mundshëm në besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve shqiptare të inteligjencës.

Sipas Softës, një hetim i tillë mund të sjellë vlerësime shtesë të sigurisë, por nuk nënkupton automatikisht ndërprerje të bashkëpunimit.

“Besimi në fushën e inteligjencës ndërtohet përmes konfidencialitetit, kontrollit të aksesit, përgjegjshmërisë dhe respektimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit.

Një hetim që lidhet me informacion të klasifikuar mund të sjellë nevojën për vlerësime të sigurisë nga partnerët. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë automatikisht se bashkëpunimi ndërkombëtar është ndërprerë apo se të gjitha informacionet shqiptare janë vënë në dyshim. Partnerët vlerësojnë jo vetëm incidentin e mundshëm, por edhe mënyrën se si institucionet reagojnë: A hetohet çështja në mënyrë të pavarur? A identifikohen dobësitë? A merren masa korrigjuese? A garantohet vazhdimësia e mbrojtjes së informacionit? Besimi nuk kërkon heshtje ndaj problemeve. Besimi kërkon institucione që dinë t’i identifikojnë, hetojnë dhe korrigjojnë problemet me profesionalizëm”, thekson Softa.

Për ekspertin e sigurisë, rasti duhet të shërbejë gjithashtu si moment për të shqyrtuar mekanizmat e funksionimit të institucioneve të sigurisë në Shqipëri, veçanërisht sa i përket llogaridhënies, mbrojtjes së informacionit dhe kontrollit institucional.

“Një rast i tillë duhet të shërbejë si pikë reflektimi për sistemin e sigurisë kombëtare, pa pritur domosdoshmërisht përfundimin e hetimit për të shqyrtuar masat parandaluese.

Reforma duhet të mbështetet në disa shtylla: Përgjegjshmëri dhe llogaridhënie: Kontroll i qartë i funksionimit të institucioneve dhe i përgjegjësive drejtuese. Mbrojtje e informacionit: Rishikim i protokolleve të klasifikimit, aksesit dhe administrimit të të dhënave. Kontroll institucional: Mekanizma të pavarur dhe efektivë të mbikëqyrjes, sipas kompetencave ligjore. Profesionalizëm: Rekrutimi dhe promovimi i personelit mbi bazën e integritetit, aftësive dhe standardeve të sigurisë. Vazhdimësi institucionale: Garantimi që funksionet kritike të shërbimeve të inteligjencës nuk varen nga një individ i vetëm. Shqipëria ka nevojë për institucione të forta, profesionale dhe të qëndrueshme, ku siguria e informacionit nuk varet vetëm nga integriteti personal i drejtuesit, por nga një sistem kontrolli që funksionon në çdo nivel”, shprehet ai.

Në përfundim, Softa nënvizon se rasti duhet të trajtohet duke ruajtur njëkohësisht procesin gjyqësor dhe nevojën për të mbrojtur informacionin strategjik.

“Siguria kombëtare nuk mund të ndërtohet mbi supozime, por as të mbrohet duke injoruar rreziqet. Çështja e hetimit ndaj një drejtuesi të lartë të shërbimit inteligjent duhet të trajtohet me seriozitet, paanshmëri dhe përgjegjësi institucionale. Duhet të respektohet procesi gjyqësor dhe prezumimi i pafajësisë, ndërkohë që autoritetet kompetente duhet të vlerësojnë çdo ekspozim të mundshëm të informacionit të klasifikuar. Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për bashkëpunim të besueshëm në fushën e sigurisë. Ky besim nuk mbrohet përmes mohimit të problemeve, por përmes transparencës institucionale, kontrolleve profesionale dhe masave të përshtatura me rrezikun e vërtetuar. Në fund të fundit, pyetja nuk është vetëm se kush do të mbajë përgjegjësi për një shkelje të mundshme, por nëse institucionet tona janë të afta të mbrojnë informacionin strategjik, të ruajnë besimin e partnerëve dhe të garantojnë sigurinë kombëtare edhe në momentet më të vështira”, përfundon eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

Vlora Hyseni u emërua në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit në Shqipëri në prill të vitit 2023. Para emërimit në këtë detyrë, ajo kishte pasur një karrierë të gjatë në institucionet e sigurisë në Kosovë, përfshirë Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Të Ngjashme