Një valë e re ndryshimesh ka përfshirë Policinë e Shtetit, duke sjellë riorganizime në disa prej drejtorive vendore më të rëndësishme të vendit.
Kryepolici Skënder Hita ka firmosur një sërë emërimesh të reja, në kuadër të një procesi që vijon prej muajsh dhe synon ristrukturimin e drejtimit në nivelet vendore të policisë.
Sipas vendimeve të bëra publike, ndryshimet prekin drejtoritë në Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Fier, ku janë caktuar drejtues të rinj në krye të strukturave vendore.
Në Lezhë është emëruar Ermal Muça, ndërsa në Durrës drejtimin e ka marrë Ervin Hodaj. Në Vlorë është vendosur Edvin Ndreu, ndërsa në Fier Erion Ahmeti.
Këto lëvizje vijnë në kuadër të një procesi të brendshëm riorganizimi dhe vlerësimi të drejtuesve, i cili synon forcimin e efikasitetit dhe rritjen e performancës në strukturat vendore të Policisë së Shtetit.
