Lajme

“Tirana e djegur, fëmijët e përgjakur”, Çun Lajçi godet Ramën: “E shite Shqipërinë, ik!”

Aktori Çun Lajçi ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas protestave dhe përplasjeve të dhunshme në Tiranë, duke i kërkuar atij të japë dorëheqje.

Në një postim të publikuar më 18 tetor 2026, Lajçi ka kritikuar mënyrën se si Rama po i trajton protestat, duke shprehur shqetësimin për dhunën ndaj demonstruesve dhe gjendjen e krijuar në kryeqytetin shqiptar.

Aktori ka kundërshtuar gjithashtu retorikën e kryeministrit dhe ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e tij për situatën, duke e mbyllur reagimin me thirrjen: “Ik, Ed, ik! Nuk ke rrugë tjetër”.

Postimi i plotë:

Ik Ed, ik! Nuk ke rrugë tjetër.

Sot në mëngjes e pashë njanin tue folë me vetveten. M’erdhi gjynah!

Ishte futë ma në fund në zyrën e Kryeministrisë. Si urithi, shikonte e fliste. U trishtova.

Njeriu që s’kishte ba gjumë tanë natën, tash po i fliste nji guri, nji guri që kishte dalë prej dorës së nji djaloshi në bulevard, kur ai përpiqej me mbrojtë veten prej tymit, shkopinjve e plumbave të gomës.

Sa makabre!

Nji Kryeministër po shpjegonte pse s’duhej të ikte ai e pse s’duhej të vinte nji «neoballist», nji «neokomunist»… Kështu fliste ajo gërdosi që mban rruaza e penj laramanë, ngjyrëngjyra, në dorën e majtë. Se majtak asht, socialist muti asht!

Tregonte pse duhet me hangër gurë, jo bar, siç thoshte Ramizi dikur, që Shqipnia të bahet Evropë!

Unë u çburrnova, u korita, u marrova e shava:

— Nanën ta ladroftë Evropa!

Ç’të duhet Evropa pa Shqipni e pa shqiptarë? Me polic t’maskuem që flasin gjuhë tjetër, don me shku Evropë?

Sot herët pashë nji gërdallë njeriu që fliste me vetveten. Në dorë mbante nji armë fantazmë — nji gur. Ndoshta ai gur kishte ra në kokën e djalit, ndoshta në qafën e vajzës, ndoshta në ballin e kryepolicit…

Pashë nji njeri të çmendun që çmenduninë e vet don me e çue deri te konopi, te plumbi, te burgu!

Nji Kryeministër që e ka hangër vetveten, mbasi e shiti Shqipninë. E tash, frika e humbjes nuk e len me ba gjumë, nuk e len me mendue kthjelltë, as me folë esëll.

U trishtova kur e pashë njeriun që i ka thanë Evropës: «Unë jam Kryeministri i Shqipnisë. Kam tetëqindmijë vota. Nuk me trembin kalamajt me gurë! Me vendin tim baj ç’të due!»

Po m’vjen keq, Ed, por mua po dhemb zemra kur po i shoh fëmijët t’përgjakun. Kur po e shoh Tiranën të djegun. Kur po i shoh sheshet me gur. E pse? Kallxo pse? Mos e bleve postin me tapi? Ik, ti s’ke vend ma në Shqipni. Merri me vete ato vota dhe shko n’Evropë e bahu mbret!

E di, «na kemi me vuejtë për ty e për çmenduninë tande», por besoj se, me kalimin e kohës, kemi me u mësue edhe pa ty. E nji «neoballist» ka me ia kallxue Evropës se jo krejt shqiptarët janë narkomanë e narkodilerë!

Ik, Ed, ik! Nuk ke rrugë tjetër.

18.10.2026

Të Ngjashme