Tollumbacet me azot që po përdoret shumë sidomos nga të rinjtë në lokale të ndryshme të vendit, do të ndalohen me ligj në Shqipëri. Oksidi i azotit do të kategorizohet i ndaluar për t’u konsumuar.
Komisioni parlamentar i Shëndetësisë vendosi që ai të përfshihet në listën e lëndëve psikotrope që ndalohen për konsum. Në debatin në komision mori pjesë ministri i brendshëm, Taulant Balla, që tha se këtë vit është shtuar ndjeshëm përdorimi i këtyre lëndëve të ndaluara.
“Janë disa lëndë psikotrope që nuk përfshiheshin deri më tani, ku ndër to është edhe përdorimi i peroksidit të azotit, që nga ekspertët thuhet se sjell problem shqetësues për shëndetin. Kemi bërë sekuestrimin e bombolave për të shmangur përdorimin e pautorizuar. Aktualisht në legjislacionin bazë këto lëndë, jo vetëm peroksidi i azotit nuk konsiderohen si lëndë narkotike apo psikotrope. “, tha Balla.
Peroksidi i azotit njihet ndryshe si droga tollumbace. Shumë persona, përfshirë dhe të rinj e të mitur, kanë nisur ta përdorin duke dashur të provojnë gjendjen euforike që përfiton prej saj. Por më pas vjen ankthi dhe probleme të tjera më të rënda të shqisave dhe reagimit. Mjekët thonë se në raste të caktuara mund të arrihet deri në paralizë apo në humbje jete.
Në lokale dhe markete të ndryshme, bombolat me azot ofrohen shumë lirshëm për shkak të mungesës së ndalimit me ligj. Por çdo kush që e shet apo përdor, do të ketë penalitete pasi edhe ligjërisht peroksidi i azotit të cilësohet me votën e ligjvënësit lëndë e ndaluar psikotrope.