Dy automjete “Audi Q7” nuk i’u bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, duke përplasur patrullat në postbllok dhe u larguan me shpejtësi. Operacioni u zhvillua mbrëmjen e kaluar në aksin Kapshticë–Lozhan–Gramsh, ku policia dyshon se dy automjetet po përdoreshin për transportin e emigrantëve të paligjshëm.
Sipas raportimve, operacioni nisi në afërsi të Kapshticës, në Devoll, ku forcat e policisë konstatuan dy Audi Q7. Pas ndjekjes, drejtuesit e mjeteve dyshohet se lanë rreth 15 emigrantë në afërsi të Lozhanit dhe vijuan në drejtim të Gramshit.
Në një postbllok në Gramsh, dy automjetet u përplasën me patrullat e policisë, duke rrezikuar edhe punonjësit e shërbimit. Drejtuesit vijuan largimin, ndërsa më pas të dy Audi Q7 u gjetën të braktisur në dy fshatra të Gramshit.
Ndërkohë, 15 emigrantët u gjetën të fshehur në një përrua pranë fshatit Lozhan, ndërsa dy automjetet u sekuestruan.
Policia ka identifikuar dy drejtuesit e mjeteve, të cilët janë shpallur në kërkim, ndërsa një person i tretë është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë, strukturat hetimore të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Gramshit dhe Komisariatin nr. 5 të Tiranës.
