TIRANË — Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka paralajmëruar rikthimin e tij në vëmendjen publike përmes një prodhimi të ri multimedial që pritet të nxjerrë në dritë prapaskenat e njërës prej periudhave më të diskutueshme politike dhe gjyqësore në Shqipëri.
Ky dokumentar po realizohet në bashkëpunim me median “Zëri” dhe premton një rrëfim të plotë e pa doreza jo vetëm nga vetë Tahiri, por edhe përmes dëshmive të personave të tjerë që kanë qenë protagonistë apo dëshmitarë të drejtpërdrejtë të atyre ngjarjeve.
Përmes arkivave, kujtimeve dhe fakteve të panjohura më parë, prodhimi synon të rindërtojë për publikun momentet kyçe dhe prapaskenat që mbetën jashtë syrit të kamerave gjatë viteve të tij në krye të Ministrisë së Brendshme dhe përballjes me drejtësinë.
Paralajmërimin e ka bërë vetë Tahiri përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë, ku shkruan: “Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua. Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë”.
