Lajme

Një gjeneral bëhet ambasador i ShBA-së në Shqipëri

Gjenerallejtënant (në pension) i Forcave Speciale “Bereta e Gjelbër” Eric Wendt, ka punuar më parë si Profesor i Praktikës, duke dhënë mësim Komandim dhe Udhëheqje në Shkollën Pasuniversitare të Marinës.

Kur ishte ende në shërbim aktiv si gjeneral me tre yje, u dislokua në Evropë dhe shërbeu si Komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të Organizatës së Atlantikut të Veriut (NATO). Ai ka komanduar të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara për NATO-n (përfshirë edhe njësitë shqiptare të operacioneve speciale) dhe ka punuar në Shqipëri me drejtues dhe ushtarakë të mbrojtjes.

Shërbimi i tij përfshiu 55 muaj dislokim në operacione luftarake në zona të ndryshme të botës, përfshirë një vit në Afganistan si Zëvendës-Komandant Rajonal, ku përfshihej edhe mbikëqyrja e ushtarakëve nga Shqipëria.

Gjatë më shumë se 34 viteve të shërbimit aktiv, ai ka mbajtur disa pozicione të larta komanduese dhe ka udhëhequr organizata me personel civil dhe ndërinstitucional që shkonin deri në mijëra persona. Ka shërbyer si Shef i Shtabit të Komandës së Paqësorit të SHBA-së.

Siç shkruan ambasada amerikane në biografinë zyrtare, Wendt ai ka punuar për Departamentin e Shtetit të SHBA-së për dy vjet si pjesë integrale e Ambasadës së SHBA-së në Jeruzalem, ku udhëhoqi një koalicion prej tetë vendesh si Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez dhe raportonte drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.

Ai ka përvojë të gjerë si drejtues, aftësi të provuara për menaxhimin e organizatave komplekse shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe ekspertizë rajonale në të gjithë Evropën.

Gjenerallejtënant (në pension) Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, dhe studimet Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës, Monterey, Kaliforni.

Ai flet gjuhët arabe dhe koreane. Është fitues i shumë çmimeve dhe dekoratave, përfshirë Shiritin dallues “Ranger”, Shiritin dallues të Forcave Speciale, Shenjën dalluese Parashutist Mjeshtër, Shenjën dalluese Mjeshtër i Këmbësorisë në Luftim, Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, dy herë fitues i Medaljes së Shërbimit të Shquar, tri herë fitues i Medaljes “Ylli i Bronztë”, si dhe Çmimin e Lartë të Nderit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Të Ngjashme