Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik heroine nga Shqipëria drejt Danimarkës, përmes Suedisë, në kuadër të një skeme të mirëorganizuar shpërndarjeje.
Pas hetimeve nga SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg” për shtetasin me iniciale M. L., alias G., ndërsa për shtetasin E. L. janë caktuar masat “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Vendimet janë ekzekutuar më 14 maj 2026 nga Policia e Shtetit.
Sipas dosjes hetimore, gjithçka ka nisur në gusht të vitit 2023, kur autoritetet daneze kanë regjistruar procedimin e koduar “Operacioni Bacchus”, pas dyshimeve për aktivitet kriminal të një grupi shqiptarësh dhe shtetasish të huaj të përfshirë në trafik ndërkombëtar heroine.
Hetimet kanë zbuluar se aktiviteti kriminal është zhvilluar përgjatë periudhës tetor 2023 – janar 2024, në të paktën shtatë episode, ku droga dyshohet se është futur në territorin danez përmes Suedisë dhe më pas është shpërndarë në tregun vendas.
Lënda narkotike përpunohej dhe përzihej me substanca të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim rritjen e fitimeve të grupit.
Nga hetimet e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Danimarkës, deri më tani janë identifikuar dhe proceduar tre persona në shtetin danez, ndërsa në Shqipëri dy shtetas të tjerë dyshohen si pjesë aktive e rrjetit kriminal.
SPAK vijon hetimet për të zbardhur të gjithë skemën dhe për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të heroinës, i cili dyshohet se ka pasur shtrirje të gjerë në disa vende të Europës Veriore.
Njoftimi i SPAK:
SPAK godet grup të strukturuar kriminal për trafik heroine në Shqipëri dhe Danimarkë, dy masa sigurie të ekzekutuar
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit ndaj dy shtetasve M. L., (alias G.,) dhe E. L, në kuadër të procedimit nr.55 të vitit 2024, për veprat penale:
“Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata me vendimin e saj nr. 28, datë 14.5.2026 vendosi caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin M. L., (alias G.), si dhe masat e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” të parashikuara nga nenet 234 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin E. L.
Hetimet lidhur me këtë procedim penal u realizuan në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Autoritetet daneze, në muajin gusht të vitit 2023 kanë regjistruar procedimin penal nr. 0100-71282-00102-23 – “Operacioni Bacchus”. Në hetim ishte një grup shtetasish shqiptarë dhe të huaj, të cilët në kuadër të grupit të strukturuar kriminal kanë zhvilluar aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë në Mbretërinë e Danimarkës.
Kjo veprimtari është shtrirë nga 1 tetor 2023 deri më 23 janar 2024, në 7 episode, gjatë të cilëve, anëtarët e grupit kriminal kanë importuar në Mbretërinë e Danimarkës heroinë përmes shtetit kufitar të Suedisë. Lënda narkotike e trafikuar, përgatitej për shitje në tregun danez, e përzierë me lëndë të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim maksimizimin e fitimeve.
Nga hetimet paralele të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, deri në këto momente është bërë e mundur identifikimi, procedimi në Danimarkë i 3 personave (dy shtetas shqiptarë dhe një i huaj), ndërsa në Shqipëri është mundësuar identifikimi i 2 (dy) shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Më 14.5.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të mundur ekzekutimin e masave të sigurimit personal për të dy shtetasit në hetim.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për administrimin e provave lidhur me implikimin e personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.
Prokuroria e Posaçme falenderon autoritetet e drejtësisë daneze si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mbështetjen e treguar.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
