Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në pyjet e Rasorës, në zonën e Bolonjës në Itali, ku një 35-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik. Viktima është identifikuar si Shkëlzen Pali, i cili prej disa vitesh jetonte dhe punonte në Itali.
Në momentin e aksidentit, 35-vjeçari ndodhej në pyll së bashku me një koleg, ndërsa të dy po merreshin me prerjen dhe transportimin e pemëve. Për transportimin e trungjeve përdorej një teleferik i lëvizshëm.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka ndodhur gjatë aktivizimit të mekanizmit të kabllos. Dyshohet se kablloja ishte formuar në një pjesë në trajtën e një laku mbi tokë dhe 35-vjeçari, pa e kuptuar rrezikun, kishte futur këmbët brenda saj. Në momentin që teleferiku u vu në funksion, kablloja është tërhequr me forcë, duke e goditur rëndë shqiptarin.
Ai u dërgua me urgjencë në spital, ku mori ndihmën mjekësore, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 35-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Rrethanat e plota të aksidentit ende nuk dihen, ndërsa autoritetet italiane po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike.
