Detaje të reja po dalin në dritë rreth tragjedisë që ndodhi në Maldive, ku pesë zhytës italianë humbën jetën gjatë një zhytjeje në shpellën Thinwana Kandu, e njohur edhe si “Shpella e Peshkaqenëve”.
Sipas provave të reja, dyshohet se zhytësit mund të jenë tërhequr nga rryma të forta nënujore dhe më pas kanë mbetur pa oksigjen gjatë përpjekjes për t’u kthyer mbrapsht. Ndërkohë, një ekip i specializuar zhytësish ka arritur të nxjerrë të pesë trupat e bllokuar në shpellë.
I pari që u gjet ishte instruktori me përvojë i zhytjes, Gianluca Benedetti, i cili njëkohësisht ishte edhe kapiteni i anijes që kishte transportuar grupin.
Më pas janë nxjerrë edhe trupat e Monica Montefalcone, vajzës së saj Giorgia Sommacal, si dhe të zhytësve Muriel Oddenino dhe Federico Gualtieri. Të pesë italianët ishin zhytës me përvojë, çka ka shtuar edhe më shumë pikëpyetje mbi rrethanat e ngjarjes.
Megjithatë, skenari më i mundshëm mbetet ai i bllokimit në shpellë pas tërheqjes nga rrymat e forta dhe pamundësisë për të dalë në kohë. Zhytësit finlandezë që kryen operacionin e nxjerrjes së trupave kanë dorëzuar autoriteteve edhe kamerat GoPro që u përkisnin viktimave, të cilat dyshohet se përmbajnë pamje kyçe për hetimin.
Hipoteza e “efektit Venturi”
Alfonso Bolognini, president i Shoqatës Italiane të Mjekësisë Nënujore dhe Hiperbarike, deklaroi për median italiane Adnkronos se zhytësit mund të jenë përballur me rryma shumë të forta të krijuara nga hyrja e vetme e shpellës.
Sipas tij, forma e ngushtë e shpellës mund të ketë krijuar të ashtuquajturin “efekt Venturi”, ku rritja e shpejtësisë së rrjedhës së ujit në një ngushtim shkakton ulje të presionit dhe krijon një lloj thithjeje të fortë.
Bolognini shpjegoi se ky përfundim bazohet në informacionet e marra nga zhytës specialistë të DAN Europe, të cilët fillimisht kanë tentuar të fusin një ROV (mjet me telekomandë) në hyrje të shpellës, por nuk kanë mundur për shkak të rrymave të forta. “Bazuar në diagramin e shpellës, mund të jetë krijuar një efekt shumë i fortë Venturi.
Pas thithjes mund të kenë ndodhur dy skenarë: ose janë tërhequr të gjithë menjëherë, ose njëri është tërhequr dhe të tjerët kanë tentuar ta ndjekin për ta shpëtuar,” u shpreh ai. Sipas tij, në përpjekjen për të gjetur rrugëdalje në kushte të tilla ekstreme, zhytësve mund t’u ketë mbaruar oksigjeni, duke çuar në tragjedinë fatale.
Hetimet vijojnë për të sqaruar me saktësi rrethanat e ngjarjes dhe për të analizuar të dhënat e pajisjeve të sekuestruara.
