Lajme

Trump lidh marrëveshjen me Iranin me zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit “po ecin mirë”, por paralajmëroi se një marrëveshje do të arrihet vetëm nëse ajo do të jetë “e shkëlqyer për të gjithë”, duke lënë të kuptohet se dështimi i negociatave mund të çojë në rifillimin e sulmeve ndaj Iranit.

Në një postim të publikuar në Truth Social, Trump theksoi se vendet kryesore të Lindjes së Mesme dhe rajonit duhet të bashkohen me Marrëveshjet e Abrahamit si pjesë e përpjekjeve amerikane për të siguruar një marrëveshje më të gjerë me Iranin.

Ai përmendi në mënyrë specifike Arabinë Saudite, Katarin, Egjiptin, Jordaninë, Turqinë dhe Pakistanin, duke thënë se shumica prej tyre duhet të jenë “të gatshëm, të vullnetshëm dhe të aftë” për të mbështetur procesin.

“Mund të jetë e mundur që një ose dy prej tyre të kenë një arsye për të mos e bërë këtë, dhe kjo do të pranohet, por shumica duhet të jenë të gatshëm, të vullnetshëm dhe të aftë ta bëjnë këtë Marrëveshje me Iranin një Ngjarje shumë më Historike sesa do të ishte, përndryshe”, shkroi Trump, citon Guardian.

Sipas tij, këto vende kanë luajtur role të ndryshme në ndërmjetësimin e kontakteve mes Uashingtonit dhe Teheranit gjatë tensioneve aktuale, me Pakistanin që ka marrë një rol të rëndësishëm diplomatik.

Trump gjithashtu vlerësoi rezultatet e Marrëveshjeve të Abrahamit për vendet që tashmë janë pjesë e tyre, duke përmendur Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Marokun, Sudanin dhe Kazakistanin.

“Marrëveshjet e Abrahamit kanë provuar të jenë, për vendet e përfshira, një BUM Financiar, Ekonomik dhe Social, madje edhe gjatë kësaj kohe Konflikti dhe Lufte, me Anëtarët aktualë që kurrë nuk sugjeruan largimin, ose të bënin një pauzë”, shkroi ai.

Marrëveshjet e Abrahamit u nënshkruan fillimisht në vitin 2020 gjatë mandatit të parë presidencial të Trump, kur Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini normalizuan marrëdhëniet me Izraelin, duke u bërë shtetet e para arabe në më shumë se dy dekada që ndërmorën një hap të tillë.

Më vonë atyre iu bashkuan Maroku dhe Sudani, ndërsa Kazakistani njoftoi vitin e kaluar pjesëmarrjen në marrëveshje, ndonëse kishte marrëdhënie diplomatike me Izraelin që nga viti 1992.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjeve, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë zhvilluar marrëdhënie të forta ekonomike dhe të sigurisë, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje dhe tregtinë e lirë, megjithëse tensionet rajonale vazhdojnë të ndikojnë në raportet mes palëve.

Ndërkohë, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka shprehur më herët gatishmëri për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

Megjithatë, Riadi ka përsëritur se njohja zyrtare e Izraelit mbetet e kushtëzuar me krijimin e një shteti palestinez.

Të Ngjashme