Lajme

Trump paralajmëron demokratët: Nëse nuk bashkëpunoni, do të përdor veton

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do të përdorë të drejtën e vetos për të bllokuar nismat ligjore të demokratëve, nëse nuk arrihet bashkëpunim me Kongresin.

Deklaratat e tij vijnë pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, në të cilat demokratët fituan kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, duke ndryshuar raportin e forcave politike në Uashington.

Trump ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me demokratët, por njëkohësisht ka paralajmëruar se do të kundërshtojë projektligjet me të cilat nuk pajtohet.

“Mendoj se do të duan të punojnë me mua. Përndryshe, thjesht do t’i vë veton gjithçkaje dhe ata nuk do ta duan këtë”, ka deklaruar presidenti amerikan.

Sipas Associated Press, rezultati i zgjedhjeve pritet të krijojë sfida të reja për administratën Trump gjatë 2 viteve të mbetura të mandatit, pasi demokratët do të kenë mundësi të ushtrojnë kontroll më të madh ndaj Shtëpisë së Bardhë.

Përveç miratimit të legjislacionit, kontrolli i Kongresit u mundëson demokratëve të nisin hetime parlamentare ndaj administratës dhe të pengojnë emërime të caktuara të propozuara nga presidenti.

Megjithatë, Trump ruan të drejtën kushtetuese për të refuzuar projektligjet e miratuara nga të 2 dhomat e Kongresit.

Për ta rrëzuar një veto presidenciale, Kongresit i nevojiten 2 të tretat e votave në secilën dhomë, shumicë të cilën demokratët aktualisht nuk e kanë.

Trump ka sinjalizuar se përdorimi i vetos mund të shërbejë edhe si mjet për t’i detyruar kundërshtarët politikë të negociojnë marrëveshje me administratën e tij.

Ndryshimi i kontrollit të Kongresit pritet të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ gjatë pjesës së mbetur të mandatit presidencial.

Të Ngjashme