Një aksident tragjik i ka marrë jetën një të riu shqiptar në Itali gjatë mbrëmjes së të premtes. Ngjarja e rëndë rrugore u regjistrua rreth orës 23:00 dhe ka tronditur komunitetin shqiptar në zonë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, viktima ishte një 19-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Monopoli. I riu udhëtonte në sediljen e pasme të një automjeti tip “Mercedes-Benz” në momentin kur ndodhi përplasja fatale.
Për arsye që ende nuk janë sqaruar plotësisht, makina ku ndodhej 19-vjeçari u përfshi në një përplasje të fortë me një automjet tip “Toyota”, që drejtohej nga një grua. Goditja ishte tepër e fuqishme, duke bërë që të dy mjetet të humbnin kontrollin dhe të përplaseshin edhe me disa automjete të parkuara anës rrugës. Si pasojë, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendin e aksidentit dhe transportuan të riun drejt spitalit, por ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë sapo mbërriti në urgjencë.
Nga aksidenti mbetën të lënduar lehtë edhe drejtuesja e “Toyota”-s, si dhe një tjetër pasagjer që udhëtonte në “Mercedes-Benz”.
Policia italiane ka nisur hetimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të zbuluar shkaqet që çuan në aksidentin fatal.
