Lajme

“U teket çmendurisht Abdixhikut, Hamzës e Ramushit”– Dosti ‘shpërthen’ ndaj opozitës pas dështimit për presidentin

Pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit Kosova shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare, të tretat me radhë vetëm brenda një viti e gjysmë.

E pas këtyre, zhvillimeve, ka reaguar gazetari shqiptar që jeton në SHBA, Adriatik Riza Dosti, i cili përmes një shkrimi të gjatë në Facebook dhe me tone të ashpra kritikon klasën politike në vend, duke e bërë përgjegjëse për krizën institucionale dhe situatën e krijuar.

Në reagimin e tij, Dosti akuzon opozitën për papërgjegjshmëri politike, bllokim të proceseve demokratike dhe për shtyrjen e vendit drejt një tjetër cikli zgjedhor të panevojshëm, ndërsa i bën thirrje qytetarëve që të refuzojnë ata që, sipas tij, kanë shpërfillur vullnetin e votës dhe interesin e shtetit, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

Kosovë – refuzo refuzuesit e tu.

Pikërisht ata që, me papërgjegjshmërinë e tyre mendore, me papjekurinë e tyre qytetare, pa meritën për të qenë deputetë e përfaqësues të tu në parlamentin tënd. Me cinizmin, egoizmin, arrogancën, me rrugaçërinë e treguar dhe luftën për karrige e pushtet, e çuan vendin në zgjedhje të parakohshme, aspak të nevojshme, të padëshiruara prej askujt, madje tepër të dëmshme për vetë Kosovën dhe popullin e saj, veçanërisht në një situatë të tillë globale të frikshme e të rrezikshme me të cilën po përballet sot bota, e në këtë kuadër edhe vetë rajoni ynë e sigurisht edhe Kosova.

Të tretat palë zgjedhje brenda pak muajsh… sepse kështu duan LDK, PDK, AAK… sepse kështu u teket çmendurisht Abdixhikut, Hamzës e Ramushit.

Të cilët duket se janë pjesë e një skenari të pisët, shkruar në Beograd prej Vuçiçit, firmosur në Hagë prej Thaçit, miratuar në Tiranë prej Ramës dhe zbatuar në Prishtinë prej Lumirit, Bedriut e Ramushit.

Miliona të tjera do të shpenzohen për zgjedhjet e reja, të cilat do të duhet të mbahen sipas Kushtetutës brenda një afati 45-ditor… miliona të humbura për Kosovën dhe popullin e saj, të akorduara më parë prej BE-së dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, e planeve të ndryshme të investimeve.

Imazh ndërkombëtar i bërë pis dhe i vështirë për t’u riparuar për Kosovën, teksa tashmë gjithçka është hedhur në erë me dashje e qëllimisht… dhe normal që askush, si brenda vendit e sidomos jashtë tij, nuk mund të besojë, as të mbështetet e as të bashkëpunojë me një shtet pa shtet, me një shtet që ofron pak ose aspak besim, me një qeveri e parlament të përkohshëm e në detyrë.

Dhe këto “peshqeshe” krejtësisht të pamerituara për ty i ke falë atyre që ti u ke dhënë votën për të të përfaqësuar, o Kosovë, e u ke besuar të mbrojnë shtetin tënd, të garantojnë ligjin e të respektojnë Kushtetutën tënde.

Dhe ata, qëllimisht e dhunshëm, e më keq se Vuçiçi e Serbia e tij, nuk e njohin vullnetin tënd, o popull i Kosovës.

Nuk pranojnë fare as të shkojnë në Kuvend për zgjedhjen e presidentit të ri… ani pse janë të detyruar prej Kushtetutës e ligjit, por edhe prej votës tënde.

Sillen rrugaçërisht e si cubat, duke guxuar madje të flasin edhe në emrin tënd, o Kosovë; ku veçmas Abdixhiku, karrierist i tërbuar, Hamza, inatçor e i idhnak, Ramushi, idiot, arrin deri aty sa t’i bëjë thirrje “sovranit” për protesta (se kundër kujt – hajde gjeje po deshe…), aq më shumë që vetë sovrani e tha fjalën e tij në zgjedhjet e fundit të shkurtit 2025, teksa i la AAK-në me 5%, LDK-në me 18% dhe PDK-në me rreth 20%.

E tash po ngrihen këta palaço, karagjozë, sharlatanë e antishqiptarë e po i dalin kundër vullnetit e votës tënde, o popull i Kosovës.

“Ja të ikë Albini e të mos qeverisë ai e VV-ja e tij… ja, ne i vumë flakën Kosovës…” – siç në fakt ia vunë. Ky pra është mentaliteti banal i opozitës së sotme të degraduar kosovare.

I provuan të gjitha, faktikisht, Albini e VV-ja e tij; ani pse padrejtësisht e për të fshehur gjurmët e tyre të pista të fajit, sot po e akuzojnë për autokraci, bajraktarizëm e kapje të të gjitha pushteteve.

Ju ftoi në bisedime, takime, ju ofroi kompromise, marrëveshje, ju bëri lëshime pa fund, jua dha publikisht edhe firmat e deputetëve të tij dhe ju siguroi vota e mbështetje në votim.

Ju kërkoi emra kandidatësh për president… jua pranoi edhe V. Osmanin, e cila, për hir të së vërtetës, ka dy muaj që është përfshirë në lojëra të pista politike me regjisor Ramën e Tiranën dhe haptazi në dëm të Kosovës.

Ju lut publikisht që, për hir të Kosovës e popullit të saj, votës së tij, ligjit e Kushtetutës, të ishit të pranishëm në sallë… por ju refuzuat turpshëm.

U tallët me lista anonime të Abdixhikut dhe nxorët drejt mikrofonit të Kuvendit “shpellaren” Gane Muslia.

Ju financuat edhe mjaft prej palaço-mediave shqipfolëse të Kosovës, si e si të dështonin Albini e VV-ja dhe vendi të mbetej pa president, pa institucione, pa Kuvend e pa qeverisje… një shtet pa shtet, çka as Serbia s’mundi ta bënte dot.

Të gjitha çka kishte në dorë VV-ja e Albini, në të mirë të Kosovës e popullit të saj, i bëri… natyrisht jo në mënyrë perfekte, ndaj edhe gabime mund të ketë, por jo në kurriz të Kosovës e as që situata të degjeneronte deri në këtë derexhe anarkie e papërgjegjshmërie politike, që ju konvergon aq shumë me të gjithë armiqtë e Kosovës – me Vuçiçin e Serbinë në krye, e pse jo edhe me Ramën e Tiranën e sotme, thellësisht antikosovare.

Refuzoji ashpër e prerë, Kosovë, të gjithë ata që u sollën me ty kësisoj e kaq rrugaçërisht… që e shkelën me këmbë votën e vullnetin tënd… që vunë veten e partinë e tyre para teje.

Që për një karrige e post, për egoizëm të sëmurë e karrierë, ty të vunë shkelmin dhe hasmit tënd i hapën derën.

Ndaj, fatkeqësisht, o Kosovë, të keqen më të madhe e ke prej shqiptaro-serbëve të Tiranës e të Prishtinës, e pastaj edhe prej armikut tënd shekullor, serbit.

Dhimbshëm e me pasoja të rënda për ty, Kosovë… por ja që brenda 45 ditësh do të jesh e detyruar të votosh sërish… dhe këtë radhë lus Zotin t’ua tregosh vendin si duhet “iriqëve” të tu politikë, duke i braktisur, injoruar e refuzuar… madje edhe duke i nxjerrë jashtë loje politikisht, si ata personalisht ashtu edhe partitë e tyre pas të cilave fshihen.

Refuzoje kategorikisht pjesën e padëshiruar të pisllëkut tënd, Kosovë.

Refuzo – refuzuesit e tu, Kosovë… madje pa mëshirë.

Të Ngjashme