Pas më shumë se katër vitesh në arrati, autoritetet italiane kanë arritur të lokalizojnë dhe arrestojnë në Tiranë Kol Bushpepën, i konsideruar nga hetuesit si një nga figurat kyçe të trafikut të kokainës në zonën e Venecias.
Arrestimi i tij erdhi pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar, ku vendimtare rezultuan lëvizjet dhe udhëtimet e bashkëshortes së tij drejt Shqipërisë.
Sipas mediave italiane, hetuesit e Skuadrës Mobile të Venecias, të drejtuar nga Eugenio Masino, ndoqën për vite me radhë gjurmët e lëna nga rrethi i ngushtë i Bushpepës. Dyshimet u përqendruan tek bashkëshortja e tij, e cila kishte udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë, duke përdorur itinerare të ndryshme dhe makina që ndërroheshin vazhdimisht për të mos rënë në sy.
Megjithatë, pavarësisht masave të marra për të shmangur zbulimin, hetuesit arritën të kuptonin se Bushpepa fshihej në Tiranë. Pas identifikimit të vendit ku qëndronte, autoritetet italiane kërkuan bashkëpunimin e policisë shqiptare, e cila realizoi arrestimin e tij në kryeqytet.
Ndaj Kol Bushpepës ishte lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga Interpol, pasi ai ishte zhdukur menjëherë pas dënimit të formës së prerë në vitin 2022. Ai ishte dënuar me 5 vjet, 3 muaj e 10 ditë burg për “organizatë kriminale” dhe “trafik droge”.
Karriera kriminale e Bushpepës në Itali nis që në vitin 2009, kur emri i tij u shfaq për herë të parë në hetimet e Policisë së Venecias për trafik droge. Në vitin 2012 ai u përfshi në një operacion të madh antidrogë, ku u sekuestruan 229 kilogramë marijuanë, kokainë dhe një armë zjarri.
Sipas hetuesve italianë, në vitin 2021 Bushpepa ishte kthyer në një nga organizatorët kryesorë të trafikut të kokainës në zonën e Venecias, duke drejtuar një rrjet të strukturuar që shpërndante kilogramë droge çdo muaj. Gjatë kontrolleve në banesën e tij në Mestre, policia kishte gjetur edhe 70 mijë euro cash, ndërsa dyshohet se fitimet e trafikut investoheshin në aktivitete si bed and breakfast.
Për më shumë se katër vite ai arriti t’i shpëtonte drejtësisë, duke humbur çdo gjurmë pas dënimit. Arratia e tij mori fund pas bashkëpunimit mes autoriteteve italiane dhe shqiptare, që çoi në arrestimin e tij në Tiranë.
