Ushtarët amerikanë të misionit të NATO-s në Kosovë, kanë bërë të ditur se këtë të mërkurën kanë takuar përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, KFOR ka njoftuar se u diskutuan mundësitë për bashkëpunim midis KFOR-it dhe KOC-ut në fusha të ndryshme të sportit dhe aktiviteteve me interes të ndërsjellë si dhe pjesëmarrësit gjithashtu theksuan rolin e sportit si urë lidhëse midis njerëzve nga vende të ndryshme dhe si një mjet i fuqishëm për promovimin e vlerave pozitive, bashkëpunimit dhe zhvillimit të të rinjve.
“Ngjarja riafirmoi angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it me institucionet dhe partnerët vendas në kontributin për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje thuhet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.
