Një vajzë e mitur është dërguar për mjekim me urgjencë në spitalin e Pogradecit ditën e djeshme dhe më pas u nis për ndërhyrje më të specializuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Ishin familjarët e saj që kërkuan ndihmën e bluzave të bardha, kurse Policia vendore nisi hetimet për dinamikën dhe shkaqet. Paraprakisht, bazuar edhe në dëshminë e prindërve, dyshohet se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale, pasi 5-vjeçarja është rrëzuar teksa ishte duke luajtur në karrige.
Njoftim i Policisë:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi më datë 28.04.2026, në spitalin e Pogradecit, është dërguar nga familjarët, për mjekim, një 5-vjeçare, banuese në Pogradec. Sipas deklarimeve të familjarëve, vajza është rrëzuar aksidentalisht nga një karrige, në banesë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Uniformat blu sqaruan se “pas ndihmës mjekësore në spitalin e Pogradecit, ajo u dërgua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
