Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e sotme, 27 gusht, në aksin rrugor që lidh Fishtën me aksin Lezhë–Shkodër, ku një 12-vjeçar ka humbur jetën.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Audi” është përplasur me monopatinën me të cilin po lëvizte i mituri. Përplasja ka qenë e fortë dhe, pavarësisht transportimit me urgjencë drejt spitalit, 12-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Drejtuesi i automjetit tip “Audi” udhëtonte nga Elbasani në drejtim të Fishtës, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijën e tyre të mitur. Pas përplasjes, automjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, ku fatmirësisht asnjë nga personat brenda mjetit nuk kanë pësuar dëmtime.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, dinamikës dhe shkaqeve të aksidentit tragjik./rtsh.al/
