Aktuale

Veliaj padi në Prokurorinë e Tiranës: Zbuloni kush fshihet pas Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar me një padi në Prokurorinë e Tiranës ku kërkon nisjen e hetimeve për falsifikim të dokumenteve. Veliaj kërkon hetimin e dokumentit që shërbeu si bazë për nisjen e procedimit penal ndaj tij. Sipas kallëzimit, të depozituar pranë Prokurorisë së Tiranës, hetimi ndaj tij është nisur mbi bazën e një dokumenti të nënshkruar nga një person i vetëquajtur “Nesti Angoni”, i cili, sipas verifikimeve zyrtare, nuk ekziston në regjistrat e gjendjes civile, thuhet në kallëzim.

“Si bazë për fillimin e procedimit penal ndaj meje ka shërbyer dokumenti “Të dhëna për SPAK”, i hartuar dhe i nënshkruar nga një person i vetëidentifikuar si “Nesti Angoni”. Nga verifikimet e kryera nga vetë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se ky person nuk ekziston në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe për rrjedhojë kemi të bëjmë me një identitet të rremë. Në këtë kontekst, është thelbësore të theksohet se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një kallëzim anonim në kuptimin klasik të ligjit, por me një dokument të paraqitur në formën e një kallëzimi të identifikuar, përmes përdorimit të një identiteti të rremë konkret, të shoqëruar me nënshkrim fizik”, thuhet në kallëzim.

Veliaj kërkon identifikimin e autorit real që ka hartuar dhe firmosur këtë dokument, si dhe hetimin e çdo përgjegjësie penale që lidhet me përdorimin e një identiteti të rremë për të inicuar çështjen ndaj tij.

“Nënshkrimi i vendosur në dokument nuk i përket një personi real, por është përdorur për të materializuar një identitet të rremë, duke krijuar një paraqitje të pavërtetë përpara organit publik. Nëse autori do të kishte dashur të mbetej anonim, ai do të paraqitej si i tillë. Zgjedhja për të përdorur një emër konkret dhe për ta shoqëruar atë me nënshkrim fizik nuk është rastësore, por synon të krijojë një perceptim të rremë identiteti dhe besueshmërie, duke ndikuar drejtpërdrejt në vlerësimin e organit procedues për seriozitetin e informacionit të paraqitur”, thuhet në kallëzim.

Kallëzimi evidenton gjithashtu ekzistencën e një materiali të dytë të ngjashëm, të lidhur me një tjetër identitet të pa verifikueshëm, “Nasta Pellumbi”. Sipas argumentimit, kjo situatë ngre dyshime të forta për një burim të përbashkët, një autor të vetëm që përdor identitete të ndryshme ose një mekanizëm të strukturuar për krijimin e kallëzimeve artificiale

Pjesë nga kallëzimi

Në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e pranueshme që një procedim penal të vihet në lëvizje mbi bazën e veprimeve që në vetvete paraqesin elementë të një vepre penale. Pranimi i një logjike të tillë do të çonte në legjitimimin e përdorimit të mjeteve të kundërligjshme për të inicuar ndjekje penale, duke deformuar rëndë funksionin e drejtësisë dhe duke cenuar parimet themelore të shtetit të së drejtës.

Një qasje e tillë do të krijonte rrezikun real që mekanizmi penal të përdoret në mënyrë selektive, mbi baza të fabrikuara, thjesht për të justifikuar nisjen e hetimeve ndaj individëve të caktuar. Për rrjedhojë, është thelbësore që çdo procedim penal të mbështetet mbi burime të ligjshme dhe të verifikueshme, dhe jo mbi veprime që, në vetvete, cenojnë ligjin penal. Ndryshe, do të legjitimohej një praktikë e papranueshme, ku vetë shkelja e ligjit penal do të përdorej si mjet për vënien në lëvizje të ndjekjes penale, duke përmbysur logjikën themelore të sistemit të drejtësisë.

Një qasje e tillë do të krijonte rrezikun real që subjektet e ngarkuara me zbatimin e ligjit, në vend që ta garantojnë atë, të përfshihen në shkeljen e tij në mënyrë selektive, me qëllim realizimin e objektivave të paracaktuara, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.

Për sa më sipër, kërkoj:

i. regjistrimin e procedimit penal për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal si dhe cdo vepër tjetër relevante që del gjatë hetimit.

ii. ii. identifikimin e autorit real që ka hartuar dhe nënshkruar dokumentin “Të dhëna për SPAK”

Të Ngjashme