Vendimi i PS për të “fshirë” 15 bashki nga harta ndez revoltën, banorët në Klos, Prrenjas, Patos, Poliçan, Dimali, Memaliaj dhe Selenicë ngrihen në protestë, opozita akuzon Edi Ramën se po çon përpara planin “ogurzi” për shpopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë, socialistët mbrojnë draftin
Projektligji i Partisë Socialiste, i cili propozon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46 ka shkaktuar shumë reagime në bashkitë që preken nga shkrirja. Harta e re territoriale është pritur me protesta dhe qëndrime kundër në Klos, Poliçan, Patos, Memaliaj e Selenicë. Kryeministrit Edi Rama i janë kundërvënë edhe bastionet e veta. Banorët e këtyre bashkive argumentojnë se reforma nuk do të sjellë përmirësim të shërbimeve, por përkundrazi do t’i largojë ato nga qytetarët dhe do të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik e social të zonave.
Klosi nuk pranon bashkimin me Matin
Në Bashkinë e Klosit, punonjësit e administratës bojkotuan për disa minuta punën në shenjë proteste kundër planit për bashkimin e bashkisë me Matin. Qytetarët shprehen se vendimi do të krijojë vështirësi në marrjen e shërbimeve administrative dhe do t’i detyrojë banorët të udhëtojnë më larg për procedura që sot kryhen në qytetin e tyre. “Mirë na e bën Edi Rama, na e ka prerë biletën e varrimit. U bë Rruga e Arbrit dhe tani duhet të shkojmë prapë në Burrel për një shërbim”, u shpreh një banor. Sipas tyre, Klosi ka njohur zhvillim vitet e fundit falë investimeve në infrastrukturë dhe ndikimit të Rrugës së Arbrit, ndaj shkrirja e bashkisë rrezikon të frenojë këtë zhvillim. Banorët paralajmërojnë se përqendrimi i vendimmarrjes larg qytetit do ta bëjë më të vështirë zgjidhjen e problemeve të përditshme dhe mund të nxisë largimin e të rinjve.
Banorët e Patosit: Preket identiteti i qytetit
Edhe në Patos ka pasur reagime kundër planit që bashkia të bashkohet me Fierin. Banorët shprehen se qyteti ka identitetin e tij dhe se shkrirja do të ndikojë negativisht në administrimin lokal dhe në aksesin ndaj shërbimeve publike. “Patosi nuk meriton t’i preket identiteti dhe dinjiteti”, u shprehën qytetarët, duke kërkuar që qeveria të rishqyrtojë draftin. Sipas tyre, bashkimi me një bashki më të madhe do ta bëjë më të vështirë marrjen e shërbimeve, ndërsa disa qytetarë, përfshirë mbështetës tradicionalë të Partisë Socialiste, e cilësuan projektin një “gabim”.
Selenica: Do çojë në braktisjen e zonës
Reagime ka pasur edhe në Selenicë, e cila sipas draftit do të bashkohet me Bashkinë e Vlorës. Banorët shprehen se edhe për dokumentet më të thjeshta do të detyrohen të udhëtojnë drejt Vlorës, gjë që sipas tyre do të rëndojë veçanërisht familjet që jetojnë në fshatra ose nuk kanë mundësi transporti. “Po na thonë largohuni, sepse këtu nuk jetohet më”, tha një banor, duke shtuar se heqja e statusit të bashkisë do të përshpejtojë shpopullimin e zonës. Sipas tyre, Selenica përfshin 47 fshatra dhe mijëra banorë, ndaj humbja e statusit të bashkisë do të dobësojë më tej zhvillimin lokal.
NEWS “Nuk jam më beqare!”- Beniada Nishani në një lidhje të re dashurie, kush është i dashuri i ri i modeles: Kemi qenë shokë prej vitesh, pastaj ai mori guximinQytetarët e Poliçanit djegin teserat e PS
Në ditën e prezantimit të projektligjit, dhjetëra qytetarë protestuan në Poliçan kundër planit për bashkimin e bashkisë së tyre me Beratin. Gjatë tubimit, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, dha dorëheqjen nga detyra, duke e cilësuar vendimin një padrejtësi. “Prekja e Bashkisë së Poliçanit është një padrejtësi dhe një turp i madh”, tha ai gjatë protestës. Pas deklaratës së tij, disa qytetarë dogjën teserat e anëtarësisë së Partisë Socialiste dhe tekstin e projektligjit, ndërsa në fund të protestës firmosën një peticion ku kërkojnë që Poliçani të mbetet bashki më vete. Kryebashkiaku i Memaliajt: Harta e re territoriale kërcënim për identitetin Kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, u ka bërë thirrje banorëve të bashkisë dhe 53 fshatrave për t’iu bashkuar protestës kundër draftit të ri të ndarjes territoriale, duke e cilësuar vendimin si një kërcënim për identitetin dhe zhvillimin e zonës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Malaj deklaroi se kundërshtimet e ngritura gjatë dëgjesave zyrtare në Gjirokastër dhe në Kuvend nuk janë marrë në konsideratë, ndërsa procesi, sipas tij, është zhvilluar pa transparencë dhe pa konsultim të mjaftueshëm me komunitetin. Sipas kryebashkiakut, shkrirja e Bashkisë Memaliaj do të sjellë humbje të identitetit, traditave dhe kulturës lokale, do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe do të përshpejtojë shpopullimin e zonës. Protesta e thirrur nga banorët pritet të shoqërohet me mosbindje civile dhe bllokim të qarkullimit në aksin kombëtar që lidh jugun e vendit, në hyrje të qytetit të Memaliajt.
Banorët e Dimalit peticion kundër shkrirjes së bashkisë
Edhe banorët e Dimalit kanë dalë në protestë kundër planit që parashikon shkrirjen e bashkisë së tyre. Qytetarët shprehen se ndryshimet e propozuara do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve, duke i larguar shërbimet publike dhe duke dobësuar përfaqësimin e komunitetit në nivel vendor. Sipas protestuesve, heqja e Bashkisë Dimal nga harta administrative do të krijojë vështirësi në marrjen e shërbimeve dhe do të zbehë rolin e institucionit vendor në zhvillimin e zonës. Përveç protestës, banorët kanë nisur edhe një peticion kundër reformës territoriale. Përmes firmave të mbledhura, ata kërkojnë që Dimali të vijojë të funksionojë si njësi e pavarur e qeverisjes vendore dhe që drafti i propozuar të rishikohet. Protesta janë njoftuar edhe në Belsh dhe Prrenjas, edhe këto dy bashki që me propozimin e mazhorancës pritet të shkrihen.
Ndërkohë Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se po tenton të rikthejë modelin e reformës territoriale të vitit 2014, duke paralajmëruar se projekti i qeverisë do të thellojë shpopullimin dhe largimin e qytetarëve nga shërbimet publike. Bashkëkryetari i grupit të punës së PD-së për reformën territoriale, deputeti Luçiano Boçi, tha dje se propozimi i socialistëve nuk është rezultat i një analize funksionale, por një vendim politik. “Është këngë e vjetër me muzikë të re. Është po e njëjta hartë që rrezikon të sjellë të njëjtat pasoja që sot i përjetojmë: diskriminim, mos-shërbim, mos-përfaqësim dhe mungesë autonomie”, deklaroi Boçi. Sipas tij, reforma duhet të nisë nga qytetari dhe jo nga numri i bashkive. “Një reformë territoriale ka për qëllim të rrisë funksionalitetin e pushtetit vendor, t’i shërbejë më mirë qytetarit dhe të garantojë zhvillim të njëtrajtshëm të territorit”, tha ai.
Boçi kundërshtoi bashkimet e propozuara nga PS, duke marrë si shembuj Librazhdin me Prrenjasin, Memaliajn me Tepelenën dhe Elbasanin me Cërrikun e Belshin. Sipas tij, këto vendime nuk kanë bazë ekonomike apo identitare, por lidhen me interesa politike. “Qëllimi është më se politik. Nuk nisemi nga decentralizimi, por nga centralizimi për të prodhuar gjoja decentralizim’, u shpreh përfaqësuesi demokrat. PD prezantoi gjithashtu projektin e saj për reformën territoriale, ku propozon rritjen e numrit të bashkive dhe rikthimin e kompetencave, financave dhe shërbimeve pranë qytetarëve. Boçi kërkoi që vendimi për hartën e re territoriale të mos merret vetëm në Kuvend, por përmes referendumit. ‘Kjo reformë nuk mund të kalojë me vota në parlament. Duhet të jetë qytetari ai që vendos për modelin që i shërben më mirë interesit të tij”, deklaroi Luçiano Boçi.
Reagon PS
Por teksa drafti i PS për Reformën Territoriale është pritur me kritika dhe kundërshtime të forta, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën, Arbjan Mazniku, ka dalë në një konferencë për mediat ditën e djeshme për të qetësuar sadopak zërat që kanë dalë kundër. Sipas tij, ndryshimet territoriale duhet të miratohen përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, në mënyrë që Shqipëria të hyjë në procesin zgjedhor me një sistem dhe hartë të re administrative. Ai theksoi se një nga objektivat kryesore të reformës është forcimi i bashkive, përmes strukturave më funksionale dhe më të qëndrueshme ekonomikisht. “Që kur është krijuar komisioni, afatit i punës së tij ka qenë nëntëmujor dhe dihej se mandati i tij përfundonte në mes të korrikut. Së dyti, në muajin maj të 2027, Shqipëria do ketë zgjedhje vendore, në të cilat duhet të hyjmë me një sistem të ri dhe me një hartë të re territoriale, në mënyrë që të përballemi me ato sfida, që Shqipëria i ka përpara.
NEWS Nga dëshmitar i ekzekutimit të Azem Hajdarit në vrasës të 23-vjeçarit, kush është Petrit Çakri që sot u dhunua në GJKKO pasi ‘lëshoi’ shokëtPjesë e sfidës që ne kemi përpara është të forcojmë bashkitë tani, të futemi në zgjedhjet e ardhshme me bashki me struktura më të afta ekonomikisht, më të afta funksionalisht”, tha ai. Ai theksoi se bashkitë e vendit duhet të kthehen në institucione, të cilat krijojnë mundësi të shtuara për zhvillimin ekonomik të tyre. “Bashkitë duhen të kthehen në institucione për zhvillimin ekonomik”, theksoi Mazniku. Në draftin e PS, risi është edhe krijimi i një organizimi të ri vendor, që do të quhet “qyteti” dhe do të ketë një status të veçantë ligjor, duke e organizuar vendin në 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Ndërsa numri i qarqeve mbetet i pandryshuar, po 12. Ai theksoi se në këtë draft nuk është marrë për bazë interesi politik i Partisë Socialiste, siç pretendon Partia Demokratike. Sipas Maznikut, thelbi i gjithë këtij propozimi është rritja e eficencës ekonomike të bashkive. “Unë po them, që elementi politik është një element, i cili nuk është futur fare në këtë diskutim. PS sot ka 55 nga 61 bashki të vendit. Këtu kemi të bëjmë me një synim për të përmirësuar në mënyrë maksimale eficencën e funksionalitetit të këtyre”, shtoi ai.
Çfarë përmban projektligji për ndarjen e re territoriale?
Projektligji i depozituar parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me bashki më të mëdha. Sipas propozimit, Dimali dhe Poliçani do t’i bashkohen Bashkisë së Beratit, ndërsa ndryshime parashikohen edhe për Fushë-Arrëzin, Klosin, Rrogozhinën, Patosin, Divjakën, Selenicën, Maliqin, Këlcyrën, Memaliajn, Libohovën, Cërrikun, Belshin dhe Prrenjasin. Ky projektligji është depozituar nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, i cili ka kërkuar që harta e re të dërgohet për konsultim në të gjitha bashkitë e vendit. Sipas relacionit shoqërues, reforma synon krijimin e bashkive me kapacitete më të mëdha administrative, financiare dhe teknike dhe parashikohet të hyjë në fuqi për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
