Aktuale

“Veprimi Qytetar” shpall emrat për Komitetin Përfaqësues, qytetarët shpërthejnë në rrjetet sociale, ultimatum të

Një grupi i njohur si “Veprimi Qytetar për Demokraci Funksionale” ka publikuar në rrjetet sociale organizimin e tij dhe ngritjen e një Komiteti Përfaqësues, i cili do të përfaqësojë qytetarët e thjeshtë që kërkojnë demokraci funksionale dhe zgjedhje të lira. Përfaqësuesit e grupimit pretendojnë se ata do të angazhohen për mbledhjen e firmave të qytetarëve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, në mënyrë që më pas institucionet përkatëse të reflektojnë ndryshimet. Komiteti Përfaqësues i kësaj nisme përbëhet nga: Kristaq Kume, Andi Tepelena, Edlira Çepani, Edmond Çata, Etleva Merko, Gerta Meta, Ilir Aliaj, Rezarta Çaushaj, Rigels Xhemollari dhe Silvana Bello.

Mirëpo, pavarësisht së çfarë përfaqësojnë këto emra, qytetarët e shohin këtë lëvizje si një formë për të përvetësuar protestat, nisur nga fakti se disa prej anëtarëve të Komitetit Përfaqësues janë çdo ditë në ballë të protestës për Zvërnecin. Komentet janë të shumta dhe të rinjtë kërkojnë që këta persona të qëndrojnë larg tubimit të tyre qytetar, i cili vijon prej disa ditësh në bulevardin qendror të Tiranës dhe është shndërruar në burim shprese për mijëra të rinj e të reja që ndihen të pa përfaqësuar dhe kërkojnë ndryshim.

Opozita në “aksion” për të kapur protestën e qytetarëve

Por teksa dje u shënua dita e 10-të që mijëra shqiptarë “derdhen” nëpër Tiranë duke protestuar kundër investimeve amerikane në Zvërnec, opozita ka hyrë në lojë. Konkretisht tubimi i cili thuhet se është organizuar nga vetë qytetarët, po shfrytëzohet nga opozita. Kjo pasi mësohet se së fundmi kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka depozituar zyrtarisht në Kuvend një paketë ligjore përmes së cilës kërkohet bashkimi dhe mbrojtja e Kushtetutës me frymën e integrimit në Bashkimin Europian. Konkretisht mësohet se PD ka kërkuar me urgjencë:

-Shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike (atë që helmon Zvërnecin e bregdetin).

-Shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura.

-Shfuqizimin e ligjit për “Paketën e Maleve”.

-Shfuqizimin e disa dispozitave në ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Por mesa duket Partia Demokratike nuk është mjaftuar me kërkesa e sipërpërmendura. Përmes deputetes Ina Zhupa, mësohet se ata kanë depozituar edhe një kërkesë për interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupi, për të kërkuar një ballafaqim për zonat e mbrojtura. Mirëpo, si të mos mjaftonin lëvizjet e demokratëve, të cilët qartazi po shfrytëzojnë protestën e qytetarëve duke e kthyer atë në politike, si zakonisht, edhe partia Lëvizja Bashkë mësohet të ketë shfrytëzuar rastin. Deputeti i “ Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi, ka depozituar në Kuvend thuajse të njëjtin tekst, të njëjtat kërkesa me të njëjtat argumente.

-Shfuqizim për Paketën e Maleve.

-Shfuqizim për Investimet Strategjike.

-Shfuqizim për Zonat e Mbrojtura.

Edhe pse qytetarët që prej dhjetë ditësh zbarkojnë poshtë zyrës së Edi Ramës e kanë “bërtitur” që protesta është jopolitike, mesa duket politikanët opozitarë nuk i kanë kuptuar akoma thirrjet e mijëra personave që prej fundit të majit “derdhen” nëpër kryeqytet.

Të Ngjashme